Studiuesit hedhin dyshimet për prejardhjen

Koronarovirusi i rrezikshëm që po përhapet me ritme të shpejta në Kinë mund ta ketë prejardhjen nga gjarpërinjtë dhe lakuriqët e natës.

Në këtë përfundim kanë arritur studiuesit kinezë që po përpiqen të zbulojnë prejardhjen, mënyrën e përhapjes dhe kurën në përpjekje për të parandaluar viktimat dhe përhapjen e mëtejshme.

Sipas shkencëtarëve të Universiteteve të Pekinit dhe Guangshisë, fillimisht virusi është përhapur tek lakuriqët e natës e më pas tek gjarpërinjtë, ku ka pësuar mutacion gjenetik për të prekur edhe njerëzit. Vatra ka qenë tregu i peshkut dhe kafshëve të egra në Wuhan, ku shpesh shiten edhe kafshë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë kontrolleve.

Sakaq, është shtuar në 25 numri i viktimave në Kinë dhe 616 shifra e të prekurve. Wuhani por edhe Huanggangu fqinjë ku banojnë në total 15 milionë banorë, janë vënë thuajse në karantinë, pasi autoritetet kanë bllokuar hyrjen dhe daljen e njerëzve në qytete. Hekurudhat dhe aeroportet e qytetit janë mbyllur, ndërsa ushtrohen kontrolle të rrepta për banorët.

Kontrolle të rrepta ka edhe në aeroportet ndërkombëtare për pasagjerët që vijnë nga Kina. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur një komision të posaçëm që do të shqyrtojë masat që mund të çojnë edhe në një emergjencë globale nga ky virus.

Tv Klan