Virusi i rrezikshëm kinez, i njohur si koronarovirus, ka paralizuar pothuajse qytetin Wuhan në Kinë.

Shumë shërbime janë mbyllur. Autoritetet lokale kanë pezulluar transportin ajror, trenat, metrotë, autobusët dhe tragetet. Aktive mbeten një numër i vogël i fluturimeve hyrëse në qytetin kinez. Ndërkohë që të gjitha fluturimet dalëse janë anuluar që prej ditës së sotme. Banorëve u është thënë që të mos largohen nga qyteti.

I frikësuar nga kjo situatë, dikush tha se ndihej sikur të ishte “fundi i botës”. Deri tani janë më shumë se 500 raste të konfirmuara të virusit që janë përhapur nga ky qytet. Wuhan është vendi ku besohet se u shfaq virusi i rrezikshëm. Aeroportet ndërkombëtare kanë filluar skanimet dhe kontrollet e udhëtarëve që nisen nga qyteti kinez.

Para një dite, në SHBA u raportua rasti i parë i një qytetari të prekur nga koronarovirusi. Deri tani 17 persona kanë humbur jetën nga ky virus. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se ky virus përhapet me anë të rrugëve të frymëmarrjes. /tvklan.al