Pasditen e sotme në programin “Rudina”, në Tv Klan është diskutuar për një temë aktuale që ka shqetësuar botën. Bëhet fjalë për virusin vdekjeprurës Coronavirus. Kina është izoluar për shkak të tij, i cili po përhapet me shpejtësi dhe aktualisht ka dhjetëra mijëra të infektuar në shtetin aziatik, por jo vetëm.

Për të ndaluar përhapjen e tij, qeveria kineze ka ndaluar udhëtimet nga Wuhan dhe nga 19 qytete të tjerë, duke izoluar kështu plot rreth 56 milionë shtetas. Deri tani ka më shumë se 2700 raste të konfirmuara dhe numri i personave që kanë ndërruar jetë ka shkuar në 81.

Rastet e para me virusin në fjalë u vunë re në Kinë, por deri tani raste të konfirmuara ka edhe në Tajlandë, Japoni, SHBA, Australi, Francë. Simptomat janë ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Nuk ka ende një vaksinë për coronavirusin e ri që është përhapur momentalisht, pasi është ende i panjohur nga shkencëtarët.

Për të marrë më tepër informacion, në emision është realizuar një lidhje e drejtpërdrejtë me studiuesin dhe njohësin e kulturës dhe shoqërisë kineze Iljaz Spahiu.

Rudina Magjistari: Si është situata?

Iljaz Spahiu: Nuk ka panik, jam dakord që nuk ka arritur në përmasat e panikut. Sidoqoftë dua të them se dje është pranuar nga liderët shtetërorë, por edhe nga specialistët më të mirë kinezë, se situata është shumë e rëndë dhe tepër e komplikuar. Sipas informacioneve të fundit, në orën 6 pasdite me orën e Pekinit, që është ora 11 paradite me tonën, ka patur 2335 raste të identifikura dhe 81 të vdekur vetëm në Pekin. Gjithashtu kryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë theksoi se ka një tendencë në rritje të përhapjes së virusit. Një lajm shqetësues që unë e kam marrë gjithashtu nga media kineze ështe se dje kryetari i Bashkisë së Wuhan deklaroi se për shkak të festës së Pranverës, ose siç quhet ndryshe Vitit të Ri Kinez, për shkak të epidemisë nga Wuhani janë larguar 5 milionë banorë. Tani në qytet janë 9 milionë banorë. Pra ka 5 milionë të larguar, që jo domosdo mbartin virusin, por një pjesë prej tyre kanë virusin. Ky lajm ka krijuar shqetësim dhe sigurisht e komplikon edhe më shumë problematikën e parandalimit dhe përhapjes së këtij virusi. Ka nisur një operacion për zbulimin dhe identifikimin e njerëzve që janë larguar nga Wuhan.

Rudina Magjistari: Çfarë po bëhet aktualisht? Cila është zgjidhja le të themi?

Iljaz Spahiu: Masa e parë ka qenë izolimi i qytetit të Wuhanit dhe bashkë me të dhe 14 qytete të tjera. Ky izolim ka qenë pothuajse i plotë. Është ndërprerë çdo komunikim me pjesën tjetër të Kinës.

Rudina Magjisatari: Është duke u punuar për gjetjen e një vaksine?

Iljaz Spahiu: Nga informacioni i para një ore pashë që në Shangai ka qenë punuar për një lloj vaksine, ose medikamenti që e parandalon, dhe është zbuluar një lloj sprajti, i cili ka dhënë rezultat tek disa pacientë. Mendohet që ky lloj sprajti të përdoret fillimisht tek personeli mjekësor që punon në vijën e parë që përballet direkt me personat e infektuar nga virusi.

Rudina Magjistari: Sa të rrezikuar janë shtetet, përfshirë këtu edhe Shqipërinë?

Iljaz Spahiu: Kina ka marrë masa ekstreme, jo vetëm brenda vendit, por edhe për kufizimin e lëvizjeve jashtë vendit. Janë pezulluar të gjitha grupet turistike, janë mbyllur hotelet. Në aeroportet ku funksionojnë ka kontroll të rreptë nga personel mjekësor. Nëse vihet re temperaturë mbi 37 gradë menjëherë kryhet izolimi i tij. Mjetet publike nuk qarkullojnë. Me masat që janë marrë qoftë në Kinë, qoftë jashtë Kinës, nuk besoj se ky virus mund të ketë një përhapje më të gjerë në vendet e tjera. Sigurisht nuk do t’ju rekomandoja askujt të shkonte në Kinë në këto momente. Ata që ndodhen në Kinë, në qoftë se mundësia është që të largohen, pse jo. Sepse atje për momentin edhe shkollat janë pezulluar, edhe pushimet e vitit të ri janë zgjatur, për disa kohë. Shkollat do kenë një njoftim tjetër kur do fillojnë.

Rudina Magjistari: Në të gjithë Kinën është marrë kjo masë?

Iljaz Spahiu: Po në të gjithë Kinën dhe sigurisht nuk është një situatë e zakonshme, të përballesh me një virus kaq të rëndë. /tvklan.al