Epidemia e koronavirusit nuk po kursen asnjë shtet evropian. Në Spanjë situata është vërtet e rëndë, pasi numri i viktimave ka arritur në 120 dhe mbi 4200 persona janë të infektuar. Pozitive me COVID-19 ka rezultuar edhe ministrja për Barazinë Gjinore, Irene Montero.

Ajo ka deklaruar se është në gjendje të mirë dhe e izoluar në shtëpi. Në vend, autoritetet kanë pezulluar të gjitha aktivitetet dhe vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë do të vijojnë të qëndrojnë të hapura.

Kryeministri Pedro Sanchez ka shpallur masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur ekonominë dhe familjet spanjolle, me një investim prej 18 miliardë euro.

Në Gjermani numri i rasteve me infeksion është rritur gjatë 24 orëve të fundit duke shkuar në 2745 dhe 6 të vdekur. Bavaria ka urdhëruar mbylljen e shkollave, çerdheve dhe kopshteve deri më 3 Prill. 

Masa drastike ka marrë edhe Belgjika ku autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu mbylljen e shkollave, bareve dhe restoranteve si dhe ka pezulluar aktivitetet sportive dhe kulturore.

Polonia ka shënuar sot viktimën e parë nga koronavirusi. Kryeministri i vendit lajmëroi se do të mbyllet e gjithë administrata dhe të gjithë ata që munden të punojnë nga shtëpitë.

Deri më tani në Poloni janë regjistruar 47 persona të prekur në të gjithë vendin. Polonia do të mbyllë të gjitha shkollat nga e hëna, në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Austria po ndjek politikën e izolimit të Kinës dhe i ka mbyllur kufijtë e saj drejt Italisë. Në kufirin me Italinë, policia po monitoron gjithë hyrjet dhe lejon vetëm ata që janë të shëndetshëm.

Shembullin e shumë vendeve të Evropës, tani po e ndjek edhe Franca. Presidenti Emmanuel Macron ka vendosur që nga fillimi i javës që vjen të mbyllë të gjitha shkollat, universitet, kopshtet dhe çerdhet si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

Franca u bëri thirrje njerëzve të punojnë nga shtëpia, të kufizojnë udhëtimet, ndërsa bëri thirrje që të moshuarit dhe të sëmurët të mos dalin nga shtëpia.

Italia po përballet me një situatë shumë alarmante. Brenda 24 orëve kanë ndërruar jetë 250 persona duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1266. Nga të dhënat e fundit të publikuara nga autoritetet italiane janë 14 mijë e 955 të prekur, ndërsa të shëruarit janë 1439.

Kryeministri, Giuseppe Conte iu drejtua popullit Italian duke renditur masat e reja qeveritare që përfshijnë, mbylljen e të gjitha aktivitetet tregtare deri më 25 Mars me përjashtimin e farmacive,  ushqimoreve dhe cigareve.  

Në Greqi numri i të prekurve ka shkuar në 117. Autoritetet paralajmëruan këdo që shkel rregullat duke mos pranuar karantinën do të dënohet me burg pasi përhapja e koronavirusit vë në rrezik jetën e të tjerëve.

Ndryshe nga vendet e tjera që kanë marrë masa drastike, kryeministri i Britanisë Boris Johnson ka refuzuar të mbyllë institucionet shtetërore dhe shkollat në vend. Sipas tij, çdo person që shfaq simptoma gripale do t’i kërkohet të vetë-izolohet në shtëpi.

Europa Lindore duket se po fiton betejën e saj kundër koronavirusit pasi ka numrin më të ulët të infeksioneve, asnjë vdekje dhe ka bërë aplikimin e masave shumë të rrepta. Në Sllovaki ka vetëm 16 të infektuar. Autoritetet kanë ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve dhe nëse shkelin rregullat do të përballen me gjobë deri në 1600 euro.

Kompania “Alibaba” ka njoftuar se do të dhurojë për Evropën 1.8 milion maska dhe 100 mijë reagentë testimi. Dhurimet do të bëhen për Italinë, Spanjën dhe vendet e tjera që kanë njohur raste në rritje nga koronavirusi.

Klan Plus