Rubrika “ Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme një surprizë mjaft të bukur që gruaja i bëri bashkëshortit të saj.

Miranda është 53 vjeç dhe kur është martuar me bashkëshortin e saj nuk ka veshur fustanin e bardhë. Në studio, ajo gjithashtu tregoi se ata nuk kanë as edhe një foto sëbashku.

Prandaj ditën e sotme, në program ajo vjen e veshur si nuse dhe kjo surprizë befason burrin e saj, i cili shprehet se bëhet dasëm edhe në pleqëri.

Miranda e falenderoi burrin e saj, që është kujdesur për të ditë dhe natë gjatë periudhës së vështirë që ajo ka kaluar si pasojë e aksidentit.

Sali: Bëhet edhe dasma në pleqëri!

Miranda: I dashur Sali, tani unë kam për të të dashur edhe më shumë se sa të kam dashur, se këtu ta kam parë dashurinë më të madhe. 2 vjet në krevat që më ke bërë një shërbim të paparë. Më ke larë më ke shpëlarë si një fëmijë. Ti për mua ke qenë si një nënë, se nëna ka patur për detyrë një vit të më bëjë shërbim, pastaj kam ecur vetë me këmbët e mia, por ti më ke bërë 2 vjet e 6 muaj, se dhe 6 muaj shtesë mbas operacionit kam mbetur në krevat, më ke bërë shërbim ti. Aty është parë dashuria jote e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Sali, kemi dëgjuar shumë raste për fat të keq, që kur bashkëshortet ose bashkëshortët kanë pësuar fatkeqësi dhe për më tepër që bashkëshorja jote ka qenë 2 vjet pa lëvizur dhe doktorët nuk i dhanë shpresa dhe bashkëshortët ose bashkëshortet i kanë braktisur partnerët në këto momente, për fat të keq ka patur raste të tilla. Ti nga ai njeriu që as vezët nuk dije të gatuaje, i ke bërë shërbim të jashtëzakonshëm Mirandës tënde, duke u kthyer në njeriun jo vetëm më të dashur, por edhe më të nevojshmin në këto momente të vështira, kur t’i sakrifikove gjithçka dhe i’u dedikove bashkëshortes tënde. Ajo të është mirënjohëse pafund për këtë gjë.

Sali: Unë kur e mora, e mora nuse të rregullt, pa asnjë lloj shqetësimi, por gjatë jetës ndodh çdo gjë, kështu që jemi të detyruar të bëjmë shërbime. Edhe ajo do të ma kishte bërë mua.

Ardit Gjebrea:  Juve ju mungon fotoja e dasmës?

Sali: Nuk e kemi!/tvklan.al