I ftuar në emisionin ‘Part Time’ në Tv Klan, Rezart Xhaxhiu vishet si pastrues dhe zbulon talentin tij në bërjen e punëve të shtëpisë. Ai është rrëfyer përballë Rudina Dembacajt, ku ka treguar marrëdhënien e tij të gjatë e të lumtur me Laurën, të cilën ai tregon se e ka dashur gjithë jetën. Xhaxhiu tregon ndjesinë e veçantë e të qenit gjysh dhe se me mbesën e tij ai bëhet si fëmijë.

I ngacmuar nga pyetjet e Rudinës, Xhaxhiu ka zbuluar emrin e personazhit të cilin do kishte dashur të intervistonte dhe ky nuk ishte askush tjetër veçse Kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij, nga personazhe si Rama dhe Berisha nuk e merr kurrë kënaqësinë e të intervistuarit.

“Këta janë personazhe që ti i bën pyetjen tënde, por ata japin përgjigjen e tyre”, u shpreh Xhaxhiu.

Rudina e pyeti paksa edhe për ‘profesionin’ e tij të ri në Part Time, ku ai u detyrua të bënte rolin e ‘pastruesit’ dhe zbuloi se cili ishte personazhi që Xhaxhiu nuk do donte t’i pastronte kurrë dhomën, pyetje së cilës Xhaxhiu iu përgjigj pa ngurim: “Fevziut, gojët e liga thonë se është rrëmujaxhi”.

Rudina Dembacaj: Kujt nuk do ia prekje dhomën me dorë?

Rezart Xhaxhiu: Fevziut.

Rudina Dembacaj: Pse?

Rezart Xhaxhiu: Sepse gojët e liga thonë se është ekstremist rrëmujaxhi.

Rudina Dembacaj: Po aq kravata sa ndërron ai…

Rezart Xhaxhiu: Dhoma e tij është baraz me dy dhoma.

Rudina Dembacaj: Nuk do e bëje as po të la bakshish?

Rezart Xhaxhiu: Po më la ndonjë bakshish të majmë do e mendoja./tvklan.al