Sa më shumë kalon koha, aq më të zymta bëhen parashikimet e institucioneve ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Shqipërisë, si rrjedhojë e pasojave që po shkakton Covid-19, duke rezultuar një nga vendet që do ta vuajë më shumë krizën në Europë. Fillimisht FMN vlerësoi se vendi do të shohë një rënie prej 5%.

Më pas edhe Banka Botërore ishte në të njëjtat nivele, por për skenarin bazë, ndërsa në rast se kriza vazhdon skenari pesimist vlerësonte një tkurrje prej 6.8%. Kjo tkurrje është më e larta në rajon për skenarin bazë, sipas Bankës Botërore.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) rëndon parashikimin për rënien ekonomike të Shqipërisë, si pasojë e krizës së koronavirusit. Në raportin e publikuar sot, “Perspektiva Ekonomike Rajonale në rajonet e BERZH”, ekonomia shqiptare parashikohet të bjerë me -9%, që është më e thella në rajon dhe në gjithë vendet në zhvillim.

Shqipëria – 9%

Mali i Zi -8%

Kosova -5%

Bosnja dhe Hercegovina -4.5%

Maqedonia -3.5 %

Serbia -3.5% s

“Ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë që të goditet fort nga epidemia për shkak të varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe eksporteve me vlerë të ulët të mallrave ndërmjetëse me destinacion industrinë e modës në Itali. Një reduktim i mundshëm i remitancave do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritje. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave që janë marrë për të frenuar virusin dhe nga një kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.

Por pas shiut parashikohet diell. BERZH vlerëson se në vitin 2021 pritet një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë, me një rritje prej 12%, që do të jetë edhe më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Biznesi ka hartuar një sërë propozimesh për qeverinë për të kërkuar ndihmë, por deri tani paketat janë vlerësuar si të pamjaftueshme dhe më shumë me karakter social ndaj shtresës së varfër të popullsisë, dhe jo mekanizma për të frenuar rrënimin e sipërmarrjeve private.

Tv Klan