Opinion– Viti 1990 ishte viti me intensitetin më të madh të ngjarjeve dhe me ndryshime që patën impakt të jashtëzakonshëm në jetën e shqiptarëve. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 02.12.2010 fokusohet pikërisht në ngjarjet e rëndësishme të atij viti, parë në këndvështrim zyrtar dhe nga sekretari i parë i asaj kohe, Ramiz Alia.

Shqipëria ishte vendi i fundit që i rezistonte komunizmit. 1990-ta ka shumë ngjarje publike, por edhe shumë mistere. Në Maj të vitit 1990, befas Ramiz Alia vendos të presë në një takim kryeredaktorin e New York Times, Arthur Sulzberger një prej njerëzve më të famshëm dhe më të afërt të administratës amerikane.

Ai ishte konsideruar nga Enver Hoxha si një nga agjentët më të rrezikshëm të imperializmit amerikan. Gjithsesi Alia priti Sulzberger në Tiranë dhe asnjëherë nuk u mësua shkaku që detyroi një nga gazetarët më influentë të globit të vinte në Shqipëri.

“Sulzberger ka qenë në Shqipëri edhe në vitin 1939, para ndryshimeve që u bënë. Kur erdhi në Shqipëri ai kërkoi të takohej me mua. Takimi ka qenë thjeshtë bisedë për Shqipërinë. Ai më pyeti për gjendjen, kujtoi histori të vetat dhe kaq”,-tha Ramiz Alia.

Nëse biseda me Sulzberger ka mbetur në njëfarë mënyrë misterioze, një tjetër vizitë nga më të bujshmet që Shqipëria kishte njohur ishte ajo e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Perez De Cuellar. Ai erdhi në Tiranë në Maj të vitit 1990 në një vizitë zyrtare për të dëshmuar dëshirën për hapje të Tiranës zyrtare në atë kohë. Ai kishte marrë një premtim për vizitën e tij në Tiranë, lejimin e familjes Popa të cilët ishin strehuar në Ambasadën Italiane të transferoheshin në Itali. Ata u transferuan me nja avion special drejt Italisë përpara se De Cuellar të mbërrinte në Tiranë. Por cila ishte arsyeja që e çoi Ramiz Alinë në vendimin për lejimin e transferimit të familjes Popa.

“Familja Popa u fut në Ambasadën Italiane. Ne bëmë shumë presion që ta dorëzonin, por italianët nuk pranonin. Pas disa kohësh erdhi këtu Perez De Cuellar, bëmë disa bisedime dhe u arrit në një marrëveshje”,-shtoi Ramiz Alia. /tvklan.al