Aeroporti i Rinasit ul tarifat për kompanitë ajrore

Mbyllja e 2023 shënoi një rezultat historik për turizmin shqiptar, ku sipas shifrave zyrtare vendin tonë e zgjodhen 10.1 milionë vizitorë të huaj, nga 7.5 milionë që ishin regjistruar në 2022.

Referuar këtyre shifrave të publikuara edhe nga Kryeministri Rama vetëm në Dhjetor të 2023 vendi ynë u vizitua nga 617 mijë turistë, me një rritje prej +58% më shumë krahasuar me Dhjetorin e 2022.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka qenë porta kryesore hyrëse dhe dalëse, ku gjatë gjithë vitit 2023 janë përpunuar mbi 7.2 milionë pasagjerë. Një rritje e konsiderueshme prej 40% krahasuar me 2022 dhe 117% krahasuar me vitin 2019.

Këto shifra pritet të jenë sërish të larta edhe përgjatë këtij viti pasi sipas Eurocontrol për të dytin vit radhazi tarifat në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe atë të Kukësit janë rishikuar në ulje.

Kjo organizate që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat për llogari të Albcontrol vendosi që për vitin 2024 tarifa për Aeroportin e Tiranës të jetë 218.33 Euro/avion nga 219.45 Euro që ishte në  2023.

Ajo që ka pësuar rritje ndërkohë është interesi që paguhet për detyrimet që nuk shlyhen në kohë. Teksa për vitin 2023 ky interes ishte 9.9 për këtë vit ka një rritje të dukshme me 13.26.

Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa, Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë.

Klan News