Zv.Ministrja e Arsimit, Nina Guga në një lidhje Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan foli për kthimin e maturantëve në shkollë dhe rregullat e vendosura.

Në lidhje me provimet e Maturës Shtetërore. Guga shprehet se janë reduktuar programet orientuese, me të cilat maturantët po punojnë. Ato përfshijnë vetëm tematikat e zhvilluara në klasën e 10, 11 dhe deri në 9 Mars për klasën e 12.

Për sa i përket vitit të ardhshëm shkollor, ZV.Ministrja e Arsimit shprehet se do të jenë të përgatitur për të përballuar çdo lloj situate tjetër, edhe të ndonjë rikthimi të mundshëm të virusit. Shkolla në Shtator pritet të fillojë me një përsëritje mbi të gjitha ato tema mësimore të rëndësishme që janë bërë gjatë mësimit online.

Ndryshimi që do bëhet pavarësisht teksteve alternative me të cilat shkollat punojnë, lidhet me  tematikën, e cila do të jetë e unifikuar nga pikëpamja e renditjes së  temave.

Mirela Milori: Teza do të jetë e përqëndruar në klasën e 10 dhe të 11 dhe në atë pjesë të klasës së 12, që është bërë mësimi në shkolla apo jo?

Nina Guga: Po, për të katërta provimet e maturës shtetërore, që janë 3 provimet e detyruara dhe një me zgjedhje ka programe orientuese që përfshin të gjitha tematikat e zhvilluara, në klasën e 10, 11 dhe deri në 9 Mars për klasën e 12. Pra janë të reduktuara programet orientuese me të cilin po punojnë, kanë punuar deri tani sepse edhe udhëzuesit për të punuar me maturën ishin pikërisht të fokusuar në këto 4 lëndë. Dhe ndërkohë për të gjitha nevojat që nxënësit kanë, për atë komunikimin direkt, i cili është shumë i domosdoshëm për ta bërë me mësuesin direkt. Nxënësit tashmë në këto 3 javë do të jenë aty, bashkë me mësuesit e tyre duke punuar teste të ndryshme, që i përafrohen testit që do të jetë testi i maturës me alternativa.

Mirela Milori: Viti i ardhshëm shkollor do të fillojë në këto rrethana, apo do të fillojë normalisht?

Nina Guga: Për sa i përket rrethanave të situatës pandemike, këtë gjë ne nuk e dimë dhe ne shpresojmë që të mos përsëritet më një situatë e tillë. Por dhe nëse do të jemi, le të themi të kemi nxjerrë disa mësime nga kjo situatë, ne do të jemi të përgatitur për të përballuar çdo lloj situate tjetër, edhe të ndonjë rikthimi të mundshëm. Normalisht nëse flasim për fillimin e shkollës në Shtator, ai do të fillojë me një përsëritje mbi të gjitha ato tema mësimore të rëndësishme, që janë bërë në mësimin online. Pra në të gjitha shkollat 2-javëshi i parë do të jetë i programuar mbi këto përsëritje. Më tej, kurrikula do të vazhdojë me programet e vitit përkatës, por do të kemi diçka që do të jetë e unifikuar në të gjitha shkollat. Që pavarësisht teksteve alternative me të cilat shkollat punojnë, tematika do të jetë e unifikuar nga pikëpamja e renditjes së  temave. Pra në të gjitha shkollat do të kemi të njëjtën renditje tematike të planeve mësimore./tvklan.al