Viti i dramave e befasive të mëdha

Viti i dramave e befasive të mëdha

20:50 31/12/2018

Viti 2018, nga këndvështrimi politik, filloi me premtimet për Kosovën pa viza, Kosovën me Ushtri dhe të anëtarësuar në INTERPOL. Nga këto tri qëllime kryesore, viti u përmbyll me realizimin e fillimit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Ndërkaq liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në INTERPOL, dështuan, duke mbetur synime për të ardhmen.

Po nga aspekti politik, ideja më e përfolur, por edhe më befasuese e vitit ishte ajo për ndryshimin e kufirit, si pjesë e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurse vendimi më i përfolur i vitit, që u mor nga Qeveria e Kosovës, ishte ai për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pas tre vjetësh, plotë debate e mospajtime, Kuvendi i Kosovës më 21 mars, nën presionin e gazit lotsjellës të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ratifikoi Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar qysh në gusht në vitit 2015.

Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës gjatë seancës së 21 marsit, kur u ratifikua Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës gjatë seancës së 21 marsit, kur u ratifikua Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Njeriu që dikur i printe “betejës” politike kundër demarkacionit, Ramush Haradinaj, tani ishte në postin e kryeministrit dhe ishte bindur se parregullsitë eventuale gjatë demarkimit do të mund të korrigjohen në një të ardhme dhe u pajtua me ratifikimin e Marrëveshjes, e cila besohej se do t’i hapte rrugën liberalizimit të vizave.

Më 16 dhe 17 Shkurt, Kosova festoi dy ditë rresht jubileun e parë të pavarësisë. Një dimension tjetër këtij jubileu i dha koncerti i mbajtur në Prishtinë, i pop yllit me famë botërore me origjinë nga Kosova,

Kosova shënoi jubileun e parë të pavarësisë me më shumë se 100 njohje ndërkombëtare. Por, shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

Për 10 vjet shtet, flamuri i Kosovës është ngritur lartë nën tingujt e himnit shtetëror para syve të botës me kampionen olimpike e botërore, Majlinda Kelmendi. Kurse emri i Kosovës, lakohet për të mirë në opinionin dhe mediat botërore përmes yjeve të saj me famë botërore, ku veçohen këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa e Era Istrefi. Kjo e fundit, performoi edhe në ceremoninë mbyllëse të Kampionatit Botëror të Futbollit të mbajtur në Rusi.

Një prej zhvillimeve më dramatike gjatë vitit 2018 ishte deportimi i gjashtë shtetasve turq. Më 29 mars, me kërkesën e shërbimit inteligjent të Turqisë dhe strukturave të sigurisë së Kosovës, krejt papritur u dëbuan nga Kosova gjashtë shtetas turq. Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen të cilin e fajëson se qëndron pas një tentim-puçi në Turqi, në korrik të vitit 2016.

Deportimi i gjashtë shtetasve të Turqisë nga Kosova, u vlerësua se ka sfiduar dhe cenuar jo vetëm demokracinë në shtetin më të ri evropian, por ka ngritur edhe dyshime për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Haradinaj thotë se për deportimin e shtetasve turq u informua nga një diplomat i huaj

Por, në kronologji, në ngjarjet e vitit 2018 nuk ka si të mos veçohet vrasja e politikanit serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviç. Më 16 janar, Ivanoviç u qëllua për vdekje para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”. Pas hetimeve disa mujore, më 23 nëntor, me urdhër të Prokurorisë Speciale në Prishtinë, u arrestuan tre persona të dyshuar për këtë vrasje, kurse një është në kërkim.

Pjesa veriore e Kosovës ishte në qendër të vëmendjes në shumë raste gjatë këtij viti. Më 26 mars, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve në Prishtinë. Ai shkoi në Mitrovicën Veriore për të udhëzuar përfaqësuesit lokalë të serbëve në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, Policia e Kosovës ndërhyri, duke e arrestuar Gjuriçin, të cilin e solli në Prishtinë, ku iu shqiptua masa e dëbimit nga Kosova.

Ky veprim i autoriteteve të Kosovës hasi në dënimin e ashpër nga Beogradi zyrtar si dhe zgjoi reagime të shumta ndërkombëtare.

Raportet Kosovë – Serbi, ishin në qendër të vëmendjes gjatë gjithë vitit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vizitoi dy herë Kosovën. Fillimisht më 20 Janar. Ndërkaq gjatë vizitës së dytë, më 8 dhe 9 shtator, Vuçiq kishte edhe një adresim të veçantë për serbët e Kosovës, përmes një tubimi me qytetarë në Mitrovicë.

“Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”

, tha Vuçiç. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore me autoritetet në Prishtinë.

Kjo vizitë e Vuçiç ishte realizuar pas kërkesës së Bashkimit Evropian, pasi që fillimisht atij nuk i ishte dhënë leje për këtë vizitë nga autoritetet e Kosovës.

Nisur nga nevoja që Kosova dhe Serbi t’i normalizojnë marrëdhëniet, dialogu politik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, fitoi një dimension të ri me idenë e prezantuar nga të dy presidentët për ndryshimin e kufirit. Thaçi e Vuçiç elaboruan për herë të parë idenë e korrigjimit apo ndryshimit të kufirit në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë.

Aty, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se tani kur procesi i dialogut është në finale, Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Presim marrëveshjen për kufirin, ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”, tha Thaçi.

Ideja që Serbia dhe Kosova të merren vesh për ndryshimin e kufirit, ndau në dysh mbështetësit dhe kundërshtarët, jo vetëm brenda Serbisë e Kosovës, por edhe diplomacinë ndërkombëtare.

Nga aspekti i brendshëm në Kosovë, jo vetëm opozita, por edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk e mbështetën Thaçin në idenë e tij për ndryshim të kufirit.

Haradinaj tha se prekja e kufirit mund të ketë si pasojë luftërat e reja.

“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim. Këta kufij janë vendosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këta janë kufij lufte. Ajo çfarë ka mbetur me Serbinë është njohja e Kosovës me këta kufij”

, tha Haradinaj.

Një qëndrim kategorik kundër idesë së ndryshimit të kufijve kishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh opozitar dhe kryetari i saj, Isa Mustafa.

“Për LDK-në në asnjë rast nuk është opsion. Ne assesi s’do të pajtohemi me ndryshimin e kufijve, me korrigjimin, me shkëmbimin e territoreve sepse ne konsiderojmë se ajo është çështje e përfunduar, kufijtë e Kosovës janë përcaktuar ashtu siç janë përcaktuar kufijtë e republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, të cilat janë shndërruar para Kosovës në shtete”

, ka thënë Mustafa.

Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës vazhdon të sfidohet nga diplomacia e Serbisë, e cila ka proklamuar hapur angazhimin për shfuqizimin e njohjeve të Kosovës te disa vende të caktuara dhe pengimin e Kosovës që të anëtarësohet në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Dështimi i Kosovës që në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Dubai të anëtarësohet në këtë organizatë policore ndërkombëtare, në Prishtinë është parë si rezultat i këtij angazhimi diplomatik të Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se besonte në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, por Serbia, sipas tij, ishte e pamëshirshme me politikën e saj kundër këtij anëtarësimi.

“Kundërshtimi ishte shumë i madh, kundërthëniet janë të mëdha dhe Serbia siç u pa, bëri një luftë të pamëshirshme me të gjitha mjetet kundër anëtarësimit të Kosovës”, ishte shprehur Pacolli.

Politika e ashpër serb kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës zgjoi reagimin e ashpër të Qeverisë së Kosovës. Fillimisht u vendos një taksë doganore prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. E më pas, edhe taksa prej 100 për qind. Me këtë tarifë, Serbia më nuk do të jetë eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë.

Brenda pak ditësh, prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja importoheshin fare pak në Kosovë. Një masë e tillë, u prit sërish me reagime në Beograd, por edhe me reagime në veri të Kosovës. Atje, katër kryetarët e katër komunave me shumicë serbe dhanë dorëheqje, duke kumtuar se do të ndërprejnë edhe komunikimin me Prishtinën.

Nisur nga qëndrimet krejtësisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizimin e raporteve, më 14 dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi nga një letër presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, duke i ftuar ata që të arrijnë marrëveshje. Trump kishte shprehur gatishmërinë e tij që t’i priste në Shtëpinë e Bardhë, presidentët Thaçi e Vuçiç, nëse ata do të tregonin gatishmëri për marrëveshje.

Mes polemikave dhe debateve të shumta, më 14 Dhjetor, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës vendosën që të ecin përpara me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Në pamundësi që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, Qeveria dhe Kuvendi zgjodhën rrugën e transformimit përmes ligjeve.

NATO, e cila në përbërje ka edhe vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës u sugjeroi autoriteteve në Prishtinë që të mos bëjnë këtë transformim, duke e cilësuar si “moment të papërshtatshëm”. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në disa raste e kumtuan vendimin për mbështetjen transformimit të FSK-së në Ushtri.

Vendimi u mor në Kuvend, pa votat e Listës Serbe dhe me kundërshtime të ashpra të Beogradit.

Sipas ligjeve dhe parashikimeve politike në Prishtinë, FSK pritet që në një periudhë kohore prej 7 – 10 vjetësh të shndërrohet në një Ushtri të Kosovës me kapacitete të plota.

Po në fund të vitit 2018, Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale për krime lufte, përmes Zyrës së Prokurorit të Specializuar u dërgoi ftesat e para për intervista disa personave, kryesisht nga hierarkia e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty nuk u sqarua cilësia e ftesave, përkatësisht nëse bëhej fjalë për intervista në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit.

Sidoqoftë, ftesat u panë edhe si fillim i punës së kësaj gjykate me seli në Hagë dhe e cila përbëhet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, por të cilët do të punojnë sipas Kushtetutës dhe Kodit Penal të Kosovës./REL

 

Të ngjashme
UKT