Presidenti Ilir Meta ka uruar nxënësit në nisje të këtij viti të ri shkollor. Kreu i shtetit ka bërë thirrje që të respektohen me rigorizitet protokollet shëndetësore në të gjitha institucionet arsimore me synimin që të mbrohet shëndeti i nxënësve dhe mësuesve.

“Shpresoj që qeveria dhe Ministria e Arsimit, përtej propagandës, të kenë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces normal mësimor, pa pasoja në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës vërtet shqetësuese”, shkruan Meta në Facebook.

Një urim të veçantë kreu i shtetit e ka edhe për fëmijët që nisin sot klasën e parë. Nga ana tjetër, Presidenti bën thirrje që të integrohen në sistemin arsimor fëmijët që për shkak të varfërisë e kanë të vështirë të shkojnë në shkollë. Shqetësim kreu i shtetit shpreh edhe për largimin e të rinjve nga vendi.

“Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Fenomeni thellësisht shqetësues i shpopullimit, është një emergjencë kombëtare, që ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në sektorin e arsimit, me ulje të numrit të nxënësve në shkolla dhe plakje të popullsisë”, thotë Meta. /tvklan.al