Dekori i ngritur në qendër të qytetit të Përmetit dëshmon se festimet do të jenë ndryshe nga herët e tjera. Veç të tjerash bashkia ka vendosur këtë vit në qendër të qytetit një bredh të zbukuruar me drita. Këtë fundviti, dyqani i lodrave dhe dhuratave është i mbushur si asnjëherë tjetër. Gjithashtu i mbushur është dhe tregu i fruta perimeve, ndonëse çmimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme këto ditët e fundit. Megjithatë përmetarët kanë vendosur që natën e ndërrimit të viteve të mos mungojë asnjë gjë.

Po ashtu vihet re një numër i madh prenotimesh në lokalet e qytetit sidomos nga ana e të rinjve. Bashkia ka planifikuar hedhjen e fishekzjarreve të shumtë natën e Vitit të Ri. Grupet artistike të qytetit do të nisin në orën 24:00 festimet e Vitit të Ri në qendër të qytetit i cili do të vazhdojë gjithë natën. Kryebashkiaku Arjan Kote konfirmon se edhe ky koncert do të financohet me fondet e bashkisë.

“Për të festuar sa më mirë festat e Vitit të Ri në qytetin e Përmetit, Bashkia Përmet mori disa masa për përmirësimin e infrastrukturës, pastrimit, gjelbërimit të qytetit, si dhe përmirësimit të dukshëm në krahasim me të gjitha vitet e tjera për dekorin e qytetit.”/tvklan.al