Vitin tjetër Oscar vjen me rregulla të reja

Vitin tjetër Oscar vjen me rregulla të reja

22:00 29/04/2020

Akademia prestigjioze që vlerëson dhe gjykon filmat më të mirë në tregun ndërkombëtar, Oscar, për vitin e ardhshëm do të sjellë ndryshime rrënjësore.

Si asnjëherë më parë ky institucion ka marrë vendimin që të lejojë nominimin e filmave që nuk janë shfaqur më herët në kinema, por të atyre që po shfaqen së fundmi në livestream si Netflix, Hulu, HBO, Amazon Prime etj.

Kjo erdhi pasi drejtuesit e Akademisë morën shkas edhe nga përhapja e pandemisë që ka shtyrë publikimin e shumë filmave.

Përzgjedhja e të nominuarve për Oscar u vu në pikëpyetje pasi izolimi dhe distancimi social shkaktuan anulimin e festivaleve të filmit si ai i Kanës, mbylljen e kinemave dhe shumë teatrove.

Më parë, një film që të nominohej për çmimin Oscar duhet të kishte në dispozicion 7 ditë për t’u dhënë në kinema në Los Angeles. Por tani përzgjedhja ka marrë një tjetër formë, pasi përhapja e Covid-19 ka bërë që njerëzit t’i ndjekin filmat online.

Presidentja e Akademisë Oscar, Dawn Hudson është shprehur se magjia dhe emocioni i një filmi përjetohet vetëm në kinema, por sidoqoftë rregullat e forta të vendosura nga shumë vende për frenimin e Covid-19 nuk do e shuajnë atë emocion edhe nëse ato transmetohen livestream.

Sipas deklaratës së Akademisë, nëse kinematë hapen në verë, siç parashikohet, atëherë Akademia do të cilësojë edhe kinema të tjera në New York City, Chicago, San Francisco, Miami dhe Atlanta, si të certifikuara për të shfaqur filma që janë pretendentë për t’u nominuar.

Të gjithë anëtarët e Oscar do të kenë të drejtë të votojnë në raundin e parë të filmit ndërkombëtar, kategori që më parë njihej si filmi më i mirë në gjuhë të huaj.

Akademia gjithashtu njoftoi se kategoria e efekteve të zërit dhe kategoria e miksimit të zërave do të shkrihen në një, duke zvogëluar numrin e përgjithshëm të kategorive në 23.

Duke parë sesi do të vijojë situata nga Covid-19, organizatorët kanë lënë 28 Shkurt 2021 si data për t’u dhënë çmimet Oscar, një event që do të transmetohet në ABC News.

Klan Plus

Të ngjashme

Grupi

Kallezo