Janë 26 persona që kanë bërë denoncim në polici sa i përket skemës së mashtrimit të bërë nga shoqëria ANDE–LM, për viza punësimi dhe studimi në Kanada, Angli, Australi.

Aplikimet e tyre kanë nisur në zyrat e ANDE–LM që në vitin 2014, ndërsa gjithçka drejtohej nga Luli Makashi, 51-vjeç. Ajo iu premtonte se shumë shpejt do të pajiseshin me vizë dhe për këtë fakt të kryenin pagesat në bankë për llogari të firmës ANDE-LM.

Personat që aplikonin, pasi dorëzonin dokumentet që kërkonte kjo shoqëri, ishin në pritje për të dalë viza. 51-vjeçarja  ka organizuar dhe takime të ndryshme në disa hotele në kryeqytet me persona që janë prezantuar si avokatë Kanadezë, duke shpjeguar dhe procedurat e marrjes së vizës së aplikantëve.

Pasi kanë dorëzuar mbi 20 mijë dollarë, për person dhe kanë parë që nuk kanë marrë vizën 26 aplikuesit në datën 25 prill kanë shkuar në zyrat e ANDE–LM.

Aty kanë mësuar se Luli Makashi bashkë me vajzën ishte larguar jashtë shtetit dhe se ne administrim këtë shoqëri ia kishin lënë të riut Klevis Rreshka. Ky i fundit iu ishte prezantuar  se e kishte blerë ai këtë shoqëri dhe do i ndiqte ai procedurat për aplikantët. Pas arrestimit ai ka thënë në polici, se kishte njohje që nga dhjetori i viti 2015 me vajzën e Luli Makashit, 28-vjeçare Adeila Makashi.

Në dëshminë e tij Rreshka ka thënë se para një jave 28-vjeçarja ka i kishte treguar se nuk ishte situata e mirë në shoqëri,  pasi njerëzit që kishin aplikuar për viza pune dhe studimi donin lekët e paguara, dhe nuk kanë mundësi likuidimi. Kështu Makashi i kishte shitur atij me anë të një “Kontrate dore” 100% të aksioneve të shoqërisë. Çmimi i shitjes ishte 1 euro./

tvklan.al