Në më pak se 10 minuta takim që Sekretari amerikan i Shtetit pati mundësi të zhvillojë me krerët e 4 institucioneve të drejtësisë, i transmetoi mesazhet e rëndësishme për atë që SHBA presin nga Reforma në Drejtësi, reformë që e mbështetën fort, por dhe e kanë financuar në masë të konsiderueshme.

DASH dhe Ambasada Amerikan në Tiranë zbardhën takimin mes Blinken dhe kreut të SPAK, kryetares së Gjykatës Kushtetuese, kreut të Gjykatës së Lartë dhe Inspektorit të Lartë Drejtësisë.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për Reformën në Drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë dje. Megjithëse reforma nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë”, thuhet në reagimin e DASH.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, si pas çdo takimi me krerë të lartë të shteteve, apo zyrtarë të rëndësishëm, një ditë më pas i përmblodhi momentet e rëndësishme si ato që u panë dhe ato që ishin larg syrit të kamerave në një video.

“Ky është një partneritet dhe ne jemi mirënjohës për të. Kryeministri është edhe udhëheqës i jashtëzakonshëm, edhe partner i jashtëzakonshëm”, u shpreh Blinken.

E mes atyre që nuk u panë ishin dhe dhuratat që Rama e Blinken shkëmbyen.

Kryeministri i dhuroi një nga punët e tij në pikturë.

Në sallën COD, ku u zhvillua konferenca për shtyp nën kujdesin e Kryeministrit, ishin vendosur fotot e të 5 paraardhësve të Blinken që kanë vizituar Tiranë, si dhe Presidentit Bush dhe ish-Presidentit Clinton që vizitoi kryeqytetin në 3 Korrikun e vitit të shkuar.

Në 8 orë qëndrim në Shqipëri, Blinken dha disa mesazhe si për partneritetin SHBA-Shqipëri, por dhe për Kosovën. Kjo e fundit sipas tij duhet të shohë dialogun me Serbinë si i vetmi mekanizëm që duhet përdorur. Blinken në Tiranë lajmëroi dhe për hapjen muajin e ardhshëm të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Tv Klan