Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ka mbërritur në Romë Kryeministri Shqiptar Ilir Meta. Pala italiane nëpërmjet Kryeministrit Masimo D’alema ka premtuar një shtesë prej 6 mije vizash italiane për shtetasit shqiptarë, kryesisht për ata që duan të kryejn punë sezonale në Itali. Gjithashtu do shtohet personeli i Ambasadës Italiane në Tiranë, ndërsa në prag të Krishtlindjeve do të nisë funksionimin në Vlorë, Konsullata Italiane. Këto lehtësira synojnë të frenojnë trafikun e klandestinëve mes dy brigjeve të Adriatikut.

Kryeministri Meta është shprehur se nuk duhen vetëm masa represive ndaj trafikanteve por duhet të zhvillohen zonat e infektuara si në Vlorë e qytetet bregdetare. Në takimin kokë më kokë me Ministren e Brendshme Italiane, Spartak Poçi ka kërkuar kontroll të rreptë jo vetëm në det por edhe në tokë, në zonat nga ku nisen ilegalisht klandestinët.  

Pala shqiptare ka refuzuar të pranojë rikthimin në Shqipëri të klandestinëve me origjinë kurde. Italia ka rezervuar pjesën më të madhe të shumës prej 400 miliard liretash për financimin e projekteve të Paktit të Stabilitetit në Shqipëri. Ofertat ekonomike janë konkretizuar në takimin e Ministrit të Ekonomisë Zef Preçi me Ministrin Italian për Tregtinë e jashtme Piero Fazino.

Është një ndihmë prej 49 miliard liretash kredi e cila do përdoret në fushën e energjisë, minierave e bujqësisë. Zoti Preçi ka kërkuar ndihmë dhe për energjinë elektrike. Në Pallatin e Kryeministrisë Italiane është zhvilluar një takim midis dy delegacioneve të kryesuar nga Kryeministri Shqiptar Ilir Meta dhe ai Italian Masimo D’alema./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame