Ndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Tiranë ku u takua me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, si dhe me 3 ministra të qeverisë.

Ambasada e SHBA në vendin tonë, në një njoftim për mediat, thotë se Reeker përcolli prioritetin e Presidentit amerikan Joe Biden në luftën kundër korrupsionit.

“Ndihmës Sekretari Reeker nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve 30-vjeçare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste. Ai theksoi rëndësinë e Presidentit Biden dhe të Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë edhe sanksionet e ligjit 7031 (c) të Departamentit të Shtetit, përbën interes thelbësor të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e SHBA.

Ndër të tjera, Reeker përsëriti mbështetjen e fortë të SHBA për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se progresi në këto dy aspekte forcon demokracinë mbron biznesin dhe garanton ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt pranimit në Bashkimin Europian.

Ndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker përgëzoi gjthashtu udhëheqësit e vendit për realizimin me sukses në pritjen e stërvitjes ushtarake Defender Europe 21. /tvklan.al