Ai është rikthyer në Shqipëri 13 vjet më pas dhe befasimi ka qenë i plotë për të. “Ka ndryshuar krejt ky vend” thotë ai ndërkohë që rrëfen eksperiencën e tij dy-ditore në Tiranë. Ai tregon se ka shëtitur nëpër rrugët e Tiranës dhe ka gjetur një qytet thuajse evropian.

“Tani keni mundësi të ecni shumë përpara dhe mua më vjen shumë mirë për këtë. Shumë njerëz e dinë tashmë se ku është Shqipëria në hartë dhe unë jam krenar që jam shqiptar”, thotë ai.

Bij i dy emigrantësh shqiptar, me nënën nga qyteza e Kolonjës dhe babanë nga Bilishti i Korçës, Xhim Belushi është padyshim personazhi shqiptar më i famshëm në SHBA dhe pas vdekjes së Nënë Terezës edhe në botë. Tjetri përpara tij ishte po djalë i asaj familje dhe quhej Xhon Belushi. Vëllai i tij një yll i padiskutueshëm i Hollivudit humbi jetën në mënyrë tragjike nga një overdozë droge. Vdekja e tij e kishte goditur thellë familjen Belushi. Është hera e dytë për të në Shqipëri dhe duket se befas ka zbuluar atdheun e tij. Deri në vitin 1990 ai asnjëherë nuk e ka fshehur se ishte shqiptar, por pak njerëz e njihnin atdheun e tij. Shqipëria ishte vetëizoluar dhe nuk kishte marrëdhënie me SHBA-në. Filmat qenë të ndaluar dhe pak njerëz e njihnin Belushin. Më 1990 emri i tij nisi të lakohej në shtyp dhe më 1995-ën, ai për herë të parë vizitoi Shqipërinë. Që nga ajo kohë marrëdhëniet e tij me Shqipërinë nuk janë zbehur më./tvklan.al