Sekretari amerikan i Shtetit: Muajin e ardhshëm përurojmë bazën ajrore të Kuçovës

Me mesazhe të qarta mbështetje dhe bashkëpunimi, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken qëndroi për gati 8 orë në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Sekretari Blinken e cilësoi Shqipërinë një aleat kyç.

“Jam këtu në vizitën time të parë si Sekretar i Shtetit në Shqipëri dhe sepse ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që  të përfitojë si populli shqiptar edhe populli në SHBA, madje edhe përtej dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.”

E teksa vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, Blinken njoftoi përurimin e bazës ajrore të Kuçovës muajin tjetër, ndërsa tha se po bisedohet me Aleancën edhe për bazën detare të Porto Romanos në Durrës.

 “Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancë tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë të ruajnë paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. 

Në vëmendjen e Sekretarit Blinken ishte edhe drejtësia e re.

Antony Blinken: Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë, por gjithashtu ne që kemi filluar të shikojmë rezultatet, sikurse  diskutuam edhe me Kryeministrin. Kam pasur mundësi të takohem edhe me prokurorë dhe me gjyqtarë të cilët janë duke drejtuar në fakt këto reforma kryesore dhe është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore dhe ky është një proces dhe është e rëndësishme që vazhdon të bëhet përpara. Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë, ta mbështesim Shqipërinë në këto hapa të rëndësishëm përpara që janë tepër të rëndësishëm në anëtarësimin në BE dhe gjithashtu është ajo që populli i Shqipërisë meriton”.

Edi Rama: Kur nisëm përpjekjen për reformën për drejtësi, ne morëm mbështetjen nga aleatët tanë. Të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë që i bëheshin publikut gjenin një mbështetje masive, pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit tradicional politik; të majtë dhe të djathtë, të interesuar apo jo për partitë e mbështesnin reformën në drejtësi. Nuk është sekret, zoti Sekretar, që këtu ne kemi problem që të gjejmë konsensus edhe për orën. E pra, ja ku jemi sot dhe jetojmë një kohë ku monumenti i pandëshkueshmërisë dhe miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Natyrisht që kemi shumë punë për të bërë akoma.

I pyetur se përse gjatë kësaj vizite nuk u takua me përfaqësues të opozitës sekretari Blinken u shpreh:

Në fakt unë kam patur një mundësi që të takohesha me një sërë njerëzish dhe grupesh të ndryshme përveç Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe gjithashtu anëtareve të kabinetit qeveritar. Gjithashtu kam patur mundësi të takohem me disa prej personaliteteve kyç të reformës në drejtësi dhe gjithashtu kam patur mundësi të takohem edhe me një grup të jashtëzakonshëm të rinjsh, por mendoj që kam marrë mjaftueshme nga kjo ditë, edhe këtë e kam bërë me shumë kënaqësi.

Në fokus të diskutimeve mes Ramës dhe Blinken ishte edhe situata në Kosovë. Në krah të Sekretarit amerikan, Kryeministri Edi Rama i dërgoi nga Tirana një mesazh kryeministrit Albin Kurti.

“Unë dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja.”

Kjo konferencë mbylli edhe vizitën zyrtare të Sekretarit Blinken në Tiranë. Ai u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Klan News