Vizita në Tiranë, Albin Kurti: Shqipëria dhe Kosova duhet të flasin njëzëri

Vizita në Tiranë, Albin Kurti: Shqipëria dhe Kosova duhet të flasin njëzëri

20:34 11/02/2020

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas vizitës zyrtare në Tiranë, duke thënë se Shqipëria dhe Kosova nuk mundet që ta shohin “njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”.

Në një postim në Facebook, Kurti shprehet se bashkëpunimi ekonomik dhe arsimor mes dy vendeve duhet që të përmirësohet akoma më shumë dhe pa humbur kohë.

Ndërsa shprehet se pavarësisht arritjeve që janë bërë, realiteti mes Shqipërisë dhe Kosovës është larg asaj që pret populli.

Reagimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti:

Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë.

E falenderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë.

U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë.

Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri.

Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi