3 personat që shihni në foto, dyshohet se janë autorë të një tentative të dështuar të vjedhjes së një bankomati në rrugën “Hoxha Tasim” në Tiranë, mëngjesin e kësaj të shtune.

Fotot e tyre janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën ku ishte planifikuar vjedhja, që fatmirësisht dështoi.

Siç mund të shihni në pamjet ata janë të veshur sportive, 2 prej tyre kanë kapuç në kokë ndërsa një tjetër mban kapele.

Për identifikimin dhe lokalizimin e tyre policia e Tiranës po kryen verifikime ndërsa ka shpërndarë fotot e 3 personave duke ftuar qytetarët të japin informacion.

Për çdo të dhënë të saktë që do të çojë uniformat blu drejt arrestimit të 3 personave, policia ka vënë në dispozicion një shpërblim në vlerën e 5 mijë Eurove.

Sakaq për zbardhjen e mekanizmit të plotë të ngjarjes, si dhe itinerarit të përshkruar nga autorët e vjedhjes së dështuar hetuesit vijojnë me analizimin e pamjeve filmike.

Tv Klan