Policia Kufitare Sarandë dhe Policia e Rendit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare greke, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit se në fshatin Kamitsiani të Greqisë ishte vjedhur një banesë nga disa shqiptarë, të cilët dyshohet se e kryenin këtë veprimtari në mënyrë të përsëritur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamitsiani”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Rendit në Livadhja, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të tre me banim në Burrel.

Sipas policisë, “këta shtetas janë kapur nga Policia shqiptare në hyrje të Livadhjasë, në tentativë për t’u larguar nga fshatrat greke, duke përdorur një automjet për t’u futur në Shqipëri. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 laptop, dylbi, doreza duarsh dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet”.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje të tjera në fshatrat përreth dhe policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre./tvklan.al