Fituesi i “Copa America” do të luajë me kampionin e Europës. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Konfederatës Amerikanojugore të Futbollit, Alejandro Dominguez, me anë të një postimi në profilin e tij në Twitter.

“Morëm një përgjigje pozitive nga UEFA rreth ndeshjes mes fituesit të Euro 2016 dhe kampionati të Copa America” – shkruan në mesazhin e tij Dominguez.

Përfaqësuesja amerikanojugore është konfirmuar, pasi Kili mundi në finalen e para disa ditëve Argjentinën, ndërsa pritet më 10 korrik skuadra europiane.

Data dhe vendi nuk janë përcaktuar ende. Në të kaluarën janë zhvilluar dy herë finale të tilla me trofeun e quajtur Artemio Franchi.

Në 1985 Franca mundi Uruguajin në sfidën e luajtur në Paris, ndërsa në 1993 Argjentina mundi pas 11-metërshave Danimarkën në Mar de Plata. /TV KLAN