Vjeshta shton pacientët tek pediatri
Specialistët: Fëmijët shfaqin temperaturë të lartë e probleme në rrugë respiratore
Ardhja e vjeshtës ka shtuar numrin e pacientëve të vegjël që kanë nevojë për ndihmën e mjekut. Temperatura e lartë apo problemet në rrugët e frymëmarrjes janë vetëm disa prej simptomave kryesore sipas mjekes pediatre Sonila Brati.
“Këto që predominojnë këto ditë janë temperaturat shumë të larta tek fëmijët që kanë thjesht temperaturë dhe asnjë lloj simptomatike tjetër. Pastaj kemi raste të infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore që kanë predominuar gjatë gjithë peridhës së verës dhe vazhdojnë edhe gjatë shtatorit. Këto ditë kemi parë fëmijë që janë paraqitur tek ne me diare, të vjella, temperaturë që ka shkuar nga tre deri ne pesë ditë. Shohim një rikthim të Covid-19, pra Covidi është kthyer që nga periudha e Gushtit sepse Qershorin dhe Korrikun ne e kemi pasur me viroza, por jo me Covid-19 pavarësisht se ne bënim tampone dhe pjesa më e madhe dilnin negative.”
Duke qenë se na ndajnë pak ditë nga nisja e shkollës, specialistët rekomandojnë kujdes më të shtuar ndaj fëmijëve.
“Kur shkolla fillon dhe fëmijët kthehen me kapacitete të plota, problemet shtohen. Duhet të bëjnë kujdes, të shmangin ambjentet me shumë njerëz siç ne jua themi gjithmonë. Duhet të eliminojnë kopshtin dhe çerdhen kur fëmija është i sëmurë. Të mbajë në kontroll temperaturën. Kujdes duhet të bëjmë edhe për shkak të ndryshimit të temperaturave nga mëngjesi, darka dhe dreka shpeshherë bëhen shkak për një rikthim apo për një problematikë tek fëmijët.”
Mesatarisht çdo ditë tek mjeku pediatër paraqiten rreth 30 fëmijë në ditë vetëm në një qendër shëndetësore.
Klan News