Ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ Nobel, në një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i bën thirrje për fillimin e projektit të Parkut të Kombëtar të Vjosës.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe autoriteteve të BE-së, fituesi i çmimit të fondacionit The Right Lievelihood, i njohur ndryshe edhe si çmimi alternativ Nobel, bën thirrje për të nisur që tani me planifikimin e Parkut Kombëtar të Vjosës. 

Model për BE-në

“Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Evropës me një nga ekosistemet më të spikatura të kontinentit. Në dritën e përkeqësimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore dhe biodiversitetit në Evropë dhe në notë, Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë”, shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij. 

Profesor Succow, i cili në këtë letër mbështetet edhe nga të tjerë fitues të çmimit alternativ Nobel, i bëjnë thirrje Shqipërisë që të fillojë sa më shpejt me planifikimin e Parkut Kombëtar te Vjosës përgjatë gjithë lumit në Shqipëri duke përfshirë edhe degët e tij. Sipas Succow rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin. 
Në letrën e tij drejtuar edhe BE-së, Succow u bën thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të mbështesin me fonde dhe me ekspertizë Shqipërinë në qëllimin e saj për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Evropë. “Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në” shkruan ndër të tjera Succow.

36 organizata mbështesin nismën

Rreth 36 organizata mjedisore i janë drejtuar për këtë çështje që nga shkurti e deri tani qeverisë së Shqipërisë, ndër ta edhe aktori i Hollivudit, Leonardo di Caprio, në një mesazh në Twitter. Më 10 shkurt, rreth 20 organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Evropa i kishin dorëzuar ministrit të Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, një plan për krijimin e Parkut Kombëtar në rrjedhën e lumit Vjosë.

Qeveria e Shqipërisë më herët kishte paralajmëruar se do ta kthente luginën e Vjosës në një plan kombëtar, por sipas shoqatës për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, projekti i qeverisë shqiptare i ka përjashtuar nga mbrojtja zonat përreth hidrocentraleve të planifikuara.
Veç hidrocentraleve, ekspertët e shohin të rrezikuar ekosistemin e Vjosës, me ngritjen e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit i është dhënë ndërkohë kompanisë zvicerano-shqiptare Mabetex, të ish-ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Bacolli, dhe kompanisë turke ADA, e cila aktualisht po ndërton edhe spitalin e Fierit.

Anulim apo ndërtim? Debati mbi aeroportin ndërkombëtar të Vlorës

Sipas Ecoalbania, përgjatë Vjosës jetojnë aktualisht 1.175 specie kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të shoqatës ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës IUCN. Ekspertët mendojnë se numri i specieve të rralla është shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj janë ende të paeksploruara./DW