Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë kritike ndaj unionit evropian lidhur me procesin e anëtarësimit të këtij shteti, ashtu sikurse dhe qëndrimin e BE-së ndaj Serbisë.
Ajo u shpreh se puna e bërë nga Kosova nuk po vlerësohet nga Bashkimi Evropian, e se po i jepet përparësi Serbisë, kur presidenti i kësaj të fundit viziton Putin.
“Një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm nga shtetet e BE, por dhe nga ne që apirojmë të anëtarësohemi në BE. Sa i përket Kosovës, përkundër faktit ne jemi 100% të linjëzuar dhe atë të sigurisë së BE, fatkeqësisht ka një bllokadë totale nga ana e BE. Nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti që ne jemi në përputhje 100% me politikat e tyre dhe sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, e sa i përket politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë, se më shumë po hapet dera atyre që po shkojnë në Moskë tek Putini, se sa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përveç BE-së”, tha ajo.
E pyetur për pritshmëritë e këtij samiti lidhur me Kosovën, Presidentja u shpreh se do të ketë kërkesa ndaj unionit për të mirën e shtetit të saj.
“Kërkesat tona do jenë të zëshme. Jo për shkak të ndonjë arrogance politike, por për shkak se e meritojmë. Ne kërkojmë që procesi të jetë i bazuar në merita. Sa i përket konkluzioneve, ky samit nuk është se nxjerr konkluzione, megjithatë është një mundësi e mirë për ne të jemi të barabrtë, të bëjmë kërkesa”, u shpreh Presidentja Osmani.
/tvklan.al