Studentët e juridikut denoncojnë në “Stop” ndryshimin e listave të studentëve të ekselencës. Në mes të Janarit u publikua një listë emërore, e cila më pas u ndryshua. Studentët e ekselencës marrin 100 mijë lekë të vjetra në muaj dhe nuk paguajnë për vitin akademik.

Punonjësja e sekretarisë në universitet pranon se listat janë ndryshuar. Sipas saj, VKM-ja e parë kërkonte mesatare aritmetike, ndërsa e dyta mesatare të ponderuar. Si pasojë shumë studentë janë hequr nga listat e ekselencës.

Gazetarja e “Stop”:

Jemi pranë Fakultetit të Juridikut, ku studentët e ekselencës, të mesatares 9 dhe 10 janë drejtuar në emisionin “Stop”, pasi çuditërisht në javën e parë të muajit Shkurt 2019 janë përjashtuar nga kjo listë. Çfarë ka ndodhur? Në mes të Janarit të këtij viti është publikuar një listë e studentëve të ekselencës, ku përllogaritja është bërë në mënyrë aritmetike, ndërsa në javën e dytë të muajit shkurt kjo listë ka ndryshuar, duke penalizuar kështu një numër të konsiderueshëm të studentëve. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur dhe studentët kërkojnë të drejtën e tyre, pasi kjo listë i penalizon. Çka do të thotë se humbin të drejtën për marrjen e bursës me vlerë 100 mijë lekë të vjetra në muaj, në total 900 mijë lekë të vjetra, si edhe bëhet fjalë për të mos paguar të gjithë vitin akademik. E vetmja listë që nuk ka ndryshuar është ajo e vitit të parë, pasi të dhënat kanë ardhur nga ministria e Arsimit dhe sportit duke iu referuar maturës shtetërore. Ndërsa në vitin e dytë të Fakultetit të Juridikut, janë hequr 14 emra të studentëve të cilësuar ekselentë, duke u zëvendësuar me tre emra të rinj, në vitin e tretë të bachelorit janë hequr 13 emra duke u zëvendësuar me 10 emra të rinj. Për këtë arsye në jemi pranë sekretarisë mësimore të këtij fakulteti dhe do të pyesim se çfarë ka ndodhur.

Gazetarja:  Ka ndryshuar lista e ekselentëve, për këtë jam.

Punonjësja e sekretarisë: Ka ndryshuar, sepse ka ndryshuar edhe VKM-ja. VKM-ja e parë thoshte, që detyrimet e dy viteve për studentët e vitit të tretë, duhet t’i kenë shlyer të gjitha dhe tani thotë duhet të kenë shlyer vetëm detyrimin e vitit paraardhes, që janë, domethënë të vitit të dytë, jo edhe të vitit të parë. Fillimisht ka qenë një VKM, që thoshte, gjithmonë bëhet fjalë te studentët e vitit të tretë, se te studentët e vitit të dytë, nuk ka shumë ndryshime.

Gazetarja: Ishin 3 emra, ishin hequr 14 dhe ishin shtuar 3.

Punonjësja e sekretarisë: Po pra, janë shtuar 3, sepse ne VKM-ja e parë thoshte: duhet të kenë shlyer detyrimet dhe të vitit të parë dhe të vitit të dytë. VKM-ja 40 thotë: duhet të kenë shlyer vetëm detyrimet e vitit paraardhës, do të thotë, që viti 2.

Gazetarja: Po pra, po kjo nuk e penalizon atë, që të iki nga lista?

Punonjësja e sekretarisë: Jo, jo penalizon një student dhe shton një tjetër, që ka shlyer detyrimet e vitit të dytë. Në listat e para, që na u kërkua si informacion, ka qenë me aritmetike të thjeshtë, se thoshte mesatare aritmetike vjetore, nuk e përcaktonte të ponderuar dhe financa ka marrë listat, që kishim ne dhe i ka çuar në Bord. 

Me atë, fillimin e protestës, u kërkua një informacion  shpejt, shpejt dhe ishin listat gati me aritmetike të thjeshtë. Por që kjo është e vërteta dhe kështu qëndron, domethënë janë ndryshuar nga VKM-të, që na i kanë sjellë.

Gazetarja e “Stop”: Me pushimin e protestës së studentëve, një VKM e datës 23 Janar 2019 ka ndryshuar përllogaritjen e mesatares, nga aritmetike, në mesatare të ponderuar dhe kështu penalizohen studentët.

Në lidhje me problematikën në fjalë, duke qenë se Fakulteti i Juridikut është pjesë e Universitetit të Tiranës, “Stop” iu drejtua administratorit të Universitetit të Tiranës. “Por, për fat të keq nuk arritëm ta takojmë pasi ai është gjithmonë nëpër takime.”

Gazetarja: Si jeni? Për Administratorin?

Punonjësi i sigurisë: Administratori? S’është këtu…ëëë? Ka ik, ka nja një orë e ca.

Punonjësi: Për momentin jo, se është në takim nëpër fakultete.

Më pas gazetarja iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit. “Në përgjigjen e ardhur me email duhet thënë se na janë cituar aq shumë VKM sa nuk dimë nga t’ia fillojmë. Megjithatë, po citojmë vetëm VKM-në e fundit, atë të datës 23 Janar 2019. Në shkronjën B të pikës së parë thuhet se “studentët duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik, për të cilin llogaritet nota mesatare vjetore e ponderuar.”

Dhe në fund “dopio gjashta” i kalon sërish Universitetit të Tiranës, ku citohet neni 49 i rregullores së këtij universiteti:

“Në përfundim të programit të studimit, studentëve u njehsohet nota mesatare e ponderuar që merr në konsideratë edhe kreditet respektive, për çdo disiplinë apo veprimtari tjetër formuese.”

Gazetarja e “Stop”: Por kujtojmë që kjo VKM erdhi pikërisht pasi u qetësua vala e protestave të studentëve  pasi në kulmin e kësaj proteste duhet thënë që janë çuar lista me përllogaritje të mesatares aritmetike. Dhe ndryshimi që ndodhi në këtë VKM penalizoi studentët, sidomos ata që ishin në kufi të mesatares 9, 9.1, 9.2, të cilët automatikisht zbritën më poshtë kësaj mesatareje duke mos përfituar nga të gjitha benefitet e bursës vjetore akademike.

/tvklan.al