Gjykata e Apelit e kryeqytetit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Vladimir Gjutën. Mbi të rëndojnë akuzat e dhunës në familje dhe thyerje e masës së sigurisë.

Togat e zeza argumetuan se për të arrestuarin nuk kanë ndryshuar kushtet, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhënë dy javë më parë.

Edhe në këtë seancë Gjuta është mbrojtur me argumetin se theu arrestin e shtëpisë për faktin se djali i tij ishte i sëmurë dhe e dërgoi në spital. Ndërsa për akuzën e dhunës ndaj babait të tij Gjuta e ka mohuar atë.

Pavarësisht pretendimeve ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg. Ndërkohë në datën 22 Qershor Ferit Gjuta, babai i të akzuarit ka tërhequr kërkesën e tij për urdhër-mbrojtje bërë në Gjykatën e Tiranës. Por edhe kjo nuk i ka lehtësuar kushtet për Vladimir Gjutën.

36-vjeçari është personi i cili u arrestua dhe hetua për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Ministrit Saimir Tahiri, por që u lirua për mungesë provash.

Tv Klan