Shërbimi pritet të rinisë në fund të Shkurtit

Në fund të Shkurtit të këtij viti pritet që kontrolli teknik i automjeteve tashmë nën administrimin publik, të rinisë dhënien e shërbimit për qytetarët. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi aktin normativ i cili shtyn me 3 muaj vlefshmërinë e certifikatës së kolaudimit për çdo automjet në Shqipëri. Kjo shtyrje për Drejtorin e Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, do të eliminojë radhët për marrjen e shërbimit, pavarësisht vonesave që u krijuan pas përfundimit të kontratës me kompaninë private SGS.

“Nuk do të ketë probleme me radhën sepse dikujt që i ka përfunduar në Janar, i bie ta bëjë kolaudimin në Prill dhe atij që i mbaron në Shkurt i takon radha në Maj”.

Nëse marrja në dorëzim e qendrave dhe ripërshtatja e tyre do të marrin kohë, afati për vlefshmërinë kolaudimit do të shtyhet sërish, por jo pagesa e taksave vjetore. Gonxhe tha se vonesat e shlyerjes së detyrimeve do të penalizohen me kamatë.

“Duhet ta dinë të gjithë qytetarët që nuk ka shtyrje të taksave vjetore, taksat duhet të paguhen në datën që ka përfunduar kolaudimi, ndryshe do të vendoset kamata”.

Bashkë me administrimin shtetëror, qeveria do të ndryshojë edhe Kodin Rrugor, ku si kusht shtesë do të vendoset pagesa e gjobave të automjeteve për të marrë shërbimin e kontrollit teknik. Tashmë për automjetet që kanë këtë certifikatë, kontrolli do të bëhet njëherë në 2 vjet dhe për mjetet e reja pas tre vjetësh pas regjistrimit të tyre.

Tv Klan