Agjencia e Vlerësimit “Standard & Poor’s” konfirmon të njëjtin vlerësim për ekonominë e Shqipërisë, duke vlerësuar borxhin me B+ dhe një pritshmëri të qëndrueshme. Në vlerësimet e saj, agjencia beson se performanca e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë dhe konsolidimi fiskal ka të ngjarë të vazhdojnë, pavarësisht rrezikut të rrëshqitjeve fiskale për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 -s, ose presioneve të financimit të jashtëm”.

“Standard and Poor’s” pret që në ekonomi të ketë rreziqe të balancuara edhe në 12 muajt e ardhshëm, nisur nga fakti që Shqipëria do të vazhdojë me forcimin e kuadrit fiskal, siç është parashikuar në marrëveshjen me FMN. Agjencia e Vlerësimit quan sukses miratimin e Reformës në Drejtësi. Kjo dhe përmirësimi i klimës së biznesit, sipas saj, do të bëjë që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim në BE, gjatë 12 muajve të ardhshëm.

“Standard and Poor’s” pret që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me një mesatare vjetore prej 3.7% gjatë 2016-2019. Ajo vë në dukje nivelin e lartë të kredive me probleme, që prek 18% të totalit, ndërsa pritet të ulet nga ndryshimet ligjore.

Kërcënim për ekonominë e vendit, sipas Agjencisë së Vlerësimit, janë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, krahas rritjes së detyrimeve të prapambetura dhe ngadalësimin ekonomik për shkak të pasigurive politike.

Tv Klan