Presidenti Meta: Më 25 Prill rithemelohet pluralizmi politik

Vlerësimin e Sekretarit të ri amerikan të shtetit Blinken për gjyqtarin Ardian Dvorani, presidenti Ilir Meta e ka konsideruar si një fletë lavdërimi të nxjerrë nga kryeministri Edi Rama.

“Kryeministri ka nxjerrë një fletë lavdërimi për anti-korrupsionin e tij dhe për sukseset e tij, që kjo është një gjë që jo vetëm mua nuk më habit, përpjekja e tij për t’u vetëlavduar si kampion i antikorrupsionit dhe kapjes së shtetit. Kjo është kapja e shtetit. Këto janë si fletët e lavdërimit që merrte Partia e Punës”, tha Meta.

I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në dhe ambasadoren Yuri Kim, kreu i shtetit tha se raportet e Ilir Metës me SHBA janë të shkëlqyera.

“Raportet e Ilir Metës me SHBA-të janë të shkëlqyera. Asnjëherë Ilir Meta nuk gënjen, nuk mashtron dhe nuk i ka keqpërdor dhe nuk i keqpërdor për interesat e tij”, u shpreh Meta.

Meta tha se nuk vuan të dalë nëpër sheshe, por është në shërbim të popullit dhe shkon tek kushëriri në Maliq ku pi ndonjë gotë raki. Meta i keshilloi shqiptarët nëse mendojnë që LSI përfaqëson oligarkinë e bandidë të inkriminuar ta votojnë të gjithë kundër e ta fshijnë nga faqja e dheut, të ngelet pa asnjë votë.

“Unë aksion opozitar nga Presidenca, a mund t’i bëj një shërbim, meqenëse mendon se përkrah zonjën Kryemadhi që e ka bërë PS deputetja, do i them presidenti del për të ndërgjegjësuar që qytetarët të votojnë pa frikë, që të kuptojnë se kush ankohet dhe nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet, dhe e treta nëse mendon që LSI përfaqëson oligarkinë ta votojnë të gjithë kundër, nëse promovon bandidë të inkriminuar, ta fshijnë nga faqja e dheut, nëse nxit shpopullimin e Shqipërisë, të ngelet pa asnjë votë”, u shpreh kreu i shtetit.

Për Metën shqiptarët nuk janë dele si në Korenë e Veriut.

“Në 25 prill populli i Shqipërisë do të votojë për të rithemeluar pluralizmin politik dhe për të vendosur rendin kushtetues që është tronditur në kushte skandaloze. Iku koha kur duartrokisnim ne kur dëgjonim parrudha; ‘Bravo Shqipëri socialiste’. Jemi në kohën kur për mua kanë dy gjëra rëndësi; shqiptarët të jenë të kujdesshëm të ruajnë distancë, dhe tjetra fuqia e tyre është fjala e tyre. Fuqia e tyre është 25 prilli. Ndaj them Referendum!”, deklaroi presidenti.

Meta tha se do të hapet një portal në Presidencë ku qytetarët do të shprehin të gjitha problemet e tyre.

Klan News