Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Dëshmorin e Atdheut, Major Klodian Tanushi pas vdekjes.

Motivacioni për këtë vlerësim është në “shenjë vlerësimi ndaj ushtarakut i cili nuk kurseu as jetën në shërbim të Atdheut, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi nëpërmjet profesionalizmit të tij të lartë dhe trimërisë së rrallë në radhët e Forcave tona të Armatosura, të treguar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë krah për krah si aleatë të denjë dhe të shkëlqyer të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO)”.

Presidenti dhe njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në fjalën përshëndetëse u shpreh se  Major Klodian Tanushi shërbeu me profesionalizëm, përkushtim dhe trimëri në misionin paqeruajtës në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Akti i tij heroik, i rënies në krye të detyrës duke dhënë jetën për ruajtjen e jetëve të civilëve, në shërbim të paqes e sigurisë përtej kufijve të vendit tonë, ka bërë krenar familjen e tij, Forcat tona të Armatosura ku shërbeu, si dhe çdo qytetar shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Atdheut tonë”, tha Presidenti.

Bashkë me Klodian Tanushin, humbën jetën dhe 1 anëtare tjetër e forcave të armatosura Nëntetare Zarife Hasanit, si dhe u plagos Nëntetari Kapaj./tvklan.al