Te Vllaznia janë të pakënaqur me orarin e vendosur për ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër qipriotëve të AEL Limasolit. Sfida do të luhet në stadiumin “Tsirion” në orën 16:30 të enjten dhe kuqeblutë shqetësohen me faktin se temperaturat mund të shkojnë mbi 38 gradë Celcius, e kjo sjell rrezik për futbollistët.

Në Shkodër, kjo shikohet edhe si një taktikë e qipriotëve për të krijuar një avantazh ndaj rivalëve të tyre, nisur nga fakti që lojtarët vendas janë të mësuar me klimën e ishullit. Por klubi i AEL-it ka sqaruar se ndeshja u përcaktua në këtë orar, pasi stadiumi “Tsirio” është i kategorisë së dytë dhe ka një problem të veçantë në ndriçim.

Klubi qipriot mohoi që nëpërmjet orarit të krijohen avantazhe në fushë, pasi të 22 futbollistët do të luajnë në të njëjtat kushte, por edhe nga ana sportive, ata nuk do ta donin një avantazh të tillë. Nëse Vllaznia kualifikohet për në raundin e tretë, atëherë kundërshtari i radhës do të jetë fituesi i çiftit Qarabag-Ashdod.

Klan News