Të Hënën e 12 Majit, do të luhet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar. Egnatia dhe Vllaznia përballen mes tyre, në sfidën që vendos titullin kampion.

Shkodranët kërkojnë të rikthehen në fronin e futbollit shqiptar pas shumë viteve pritje, ndërsa rrogozhinasit synojnë të mbrojnë titullin kampion.

Kjo përballje vjen pas një sezoni të mbushur me rivalitet dhe surpriza, ku të dyja skuadrat kanë treguar forcë, qëndrueshmëri dhe ambicie të qarta për titullin. Në historikun e përballjeve direkte, Egnatia ka një bilanc më të mirë.

Në 25 takime, rrogozhinasit kanë fituar 11 herë, Vllaznia 6, ndërsa 8 ndeshje janë mbyllur në barazim. Por kjo nuk garanton asgjë për këtë finale, e cila mund të vendoset nga detajet.

Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me tifozë nga i gjithë vendi që do të ndjekin këtë sfidë vendimtare për titullin më të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

Ndeshja Vllaznia-Egnatia do të luhet të Hënën në stadiumin “Arena Kombëtare” duke nisur nga ora 20:00.

/tvklan.al