Kukësi kërkon ngjitjen ndaj Kastriotit, Tirana sfidon Skënderbeun

Kategoria Superiore luan këtë fundjavë javën e 27-të të saj, ajo që mbyll edhe fazën e tretë të Superligës. Vllaznia-Laçi është kryesfida e kësaj jave. Trajneri Thomas Brdariç beson se këtë herë do jenë shkodranët ato që do festojnë.

“Laçi është i vetmi ekpit të cilit nuk i kemi marrë asnjë pikë dhe besoj se kësaj here do t’ia dalim. Këtë javë kemi punuar shumë dhe jam shumë i kënaqur me ekipin”, tha Brdariç.

Skënderbeu është skuadra e momentit në fundin e tabelës. Skuadra korçare pret Tiranën që kërkon të afrohet akoma dhe më shumë me kreun.

“Morali është rritur pa diskutim. Të bësh fitore kundrejt skuadrave si Kukësi apo Partizani e Apolonia, nuk është e lehtë”, u shpreh Migen Memelli.

“Në situatën ku jemi çdo ndeshje është e rëndësishme për shkak të objektivave dhe për shkak të pozicionit që jemi”, deklaroi Shehi.

Kukësi do të përpiqet të dalë nga kriza e rezultateve që po e zbret në klasifikim.

“Ne duhet të lirohemi psikologjikisht për sa i përket mënyrës se si skuadra del deri tek zona e aftësisë së kundërshtarit dhe aty nuk kemi forcën e duhur për të goditur”, tha Mirel Josa, trajner i Kukësit

Të shtunën luhet dhe Apolonia-Teuta, ndërsa të dielën zhvillohet takimi Partizani-Bylis.

Klan News