Barazon pa gola në sfidën me Kukësin

Vllaznia mbajti kreun e renditjes pas barazimit pa gola me Kukësin, por edhe rezultateve të ndjekësve. Përballja e javës së 23 e luajtur të hënën në Shkodër, pati raste, por protagonistë ishin portierët Xhika dhe Zogovic. Të dy shmangën gola të sigurtë.

Xhika i Kukësit priti edhe penalltinë e goditur nga Imeri në minutën e 71’. Si Vllaznia dhe Kukësi nuk kanë fitore në 4 javët e fundit. Në barazim 1-1 përfundoi përballja tjetër e së hënës Laçi-Apolonia.

Një pikë e artë për fierakët që duan të qëndrojnë në Superligë, por jo e tillë për kurbinasit që janë në garë për titullin kampion. Shehu realizoi në fillimin e pjesës së dytë për Laçin.

Goli i barazimit u shënua nga Diop në minutat e fundit. Senegalezi shfrytëzoi daljen e gabuar të Sherrit. Pas javës së 23 Vllaznia kryeson në kuotën e 42 pikë, 1 më shumë se Laçi e Teuta dhe 3 larg Partizanit.

Tv Klan