Partizani pret Ilir Dajën për drejtimin e ekipit

Skuadrat shqiptare vijojnë të jenë aktive në merkato, si në dalje, ashtu edhe në hyrje, duke nisur nga pankinat. Tomas Brdariç do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë.

Ish-futbollisti gjerman nuk është prezantuar ende nga kuq e blutë, por gjithçka po shkon drejt firmës me të, pasi ai ka zbarkuar në vendin tonë për të finalizuar marrëveshjen.

Brdariç është takuar me sponsorin e ri të klubit shkodran Alban Xhaferi, për të diskutuar në parim çështjet bazë të klubit. Pritet vetëm firma mbi kontratë. Burime brenda klubit kuqeblu, bëjnë të ditur se po përcaktohen detajet e fundit të marrëveshjes me trajnerin.

Më pas do të mendohet për merkaton e futbollistëve. Tekniku i ri ka studiuar skuadrën dhe ka bërë kërkesat e tij për ekipin. Nga ana e tyre, drejtuesit e klubit do të analizojnë çdo lojtar për t’ia paraqitur më pas teknikut.

Tomas Brdariç është kroat me origjinë, i lindur në Gjermani. Në karrierën e tij ka luajtur me Shtutgart, Leverkusen, Koln, Wolfsburg dhe Hanover. Është aktivizuar edhe me kombëtaren gjermane, madje ka shënuar edhe një gol. Ka drejtuar disa ekipe, mes të cilave edhe Shkëndijën e Tetovës.

Te Partizani pritet firma me Ilir Dajën. Trajneri ka marrë disa ditë pushim për të qenë me familjen dhe më pas do të ulet në tavolinë me drejtuesit e kuq për të vendosur mbi marrëveshjen e tyre.

Tirana prezantoi Kristjan Toshevskin si zëvendësuesin e Albi Dokës. Nuk mbetet pas Kukësi, teksa së fundmi firmosën edhe dy futbollistë të rinj. Zenel Gavazaj, vëllai i Enis Gavazajt i është bashkuar ekipit verilindor. Lojtari i dytë është Redon Dragoshi.

Tv Klan