Vllaznia dhe Egnatia, fituan duelet e tyre, ndaj rivalëve për titullin kampion. Shkodranët triumfuan në shtëpi ndaj Partizanit, me rezultatin 2-0.
Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, në minutën e 51-të Ildi Gruda i dha avantazhin Vllaznisë. Sulmuesi përfitoi nga një gafë në prapavijën e kryeqytetasve dhe realizoi.
Golin që vulosi takimin e shënoi Melos Bajrami në minutat e fundit me kokë. Kjo fitore e ngjit Vllazninë në vendin e dytë me 49 pikë, ndërsa Partizani pëson humbjen e katërt radhazi dhe mban vendin e katërt me 40 pikë.
Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Egnatia ndaj Dinamos. Lushkja me penallti dhe Ujka me një supergol në pjesën e parë, i dhanë suksesin skuadrës rrogozhinase.
Egnatia mban vendin e parë me 52 pikë, ndërsa Dinamo me 5 pikë më pak, mban vendin e tretë. /tvklan.al