Brataj: Disa qarqe po shkojnë drejt 0 raste të infektuarish

Vlora është qarku i parë “Covid free”. Prej disa ditësh në këtë qark nuk ka asnjë të infektuar aktiv. Ndërsa shifrat e të infektuarve të rinj vijojnë të jenë të ulëta, anëtari i Komitetit të Ekspertëve për Covid-19, Skënder Brataj, thotë se qarqe të tjera po shkojnë drejt zeros.

“Është e vërtetë që Vlora është me zero të infektuar, pothuaj shumica e qarqeve janë drejt shkuarjes zero. Aktualisht Shkodra ka 43, Fieri 1, Dibra 3, Kukësi 2. Janë pothuajse 6 qarqe që janë 6 raste e poshtë dhe këto ditë besoj do të zerohen”.

Shkodra është prej disa javësh në krye të qarqeve për numrin e lartë të të infektuarve aktivë, duke lënë pas kryeqytetin.

“Çfarë po ndodh në Shkodër mendoj që është pasojë e grumbullimeve, në qoftë se ka zona të vogla të pa infektuar e kalojnë ato, Tirana ka qenë vatra e pandemisë dhe është një nga qytetet me imunitet më të lartë, kështu që detyrimisht numrat do të bien në qytetin e Tiranës”.

Në të gjithë vendin numërohen më pak se 130 të infektuar aktiv, 9 prej të cilëve po marrin mjekim spitalor, ndërsa pjesa tjetër janë të izoluar në banesë.

Tv Klan