Manastirliu: Të dielën nis vaksinimi i të moshuarve që janë personalitete

Vlora është qendra e tretë funksionale e vaksinimit antiCovid, pas Tiranës e Shkodrës. Ministrja Manastirliu vëzhgoi nga afër procesin dhe u shpreh se qendra do tu shërbejë dhe bashkive përreth.

 “Fillojmë vaksinimin në Vlorë me mjekët dhe infermierët e Vlorës dhe spitalit bashkiak të Sarandës. Edhe mjekë, infermierë nga qarqe të tjera do të vijnë këtu që janë nga qarqe të tjera në mënyrë që të bëhet vaksinimi në qendrat e përqendruara të vaksinimit. Rreth 200 doza vaksine në Vlorë. Kemi ambicien që të kryejmë sa më shumë vaksinime”, tha Manastirliu.

Ajo, po ashtu theksoi se të dielën do të nisë vaksinimi edhe tek të moshuarit që janë personalitete të vendit.

“Sigurisht me ardhjen e vaksinave do të fillojë dhe shtrirja me kategorinë +80 vjeç dhe do të vijojë në qendra të tjera duke u kryer edhe në pole të tjera në të gjithë Shqipërinë. Këtë javë ka filluar vaksinimi në Shkodër dhe ka vijuar në Tiranë. Kemi një ritëm shumë të mirë të vaksinimeve. Vetëm dje janë kryer mbi 600 vaksinime, duke përfshirë këtu edhe të moshuarit dhe kujdestaret e tyre dhe stafet në qendrat apo shtëpitë e të moshuarve. Sigurisht që ajo çfarë ne jemi duke bërë është që po garantojmë që edhe shtëpitë e të moshuarve publike por edhe ato jo-publike të vaksinohen të gjitha menjëherë sipas një plani të detajuar që po ndiqet nga Operatorët e Kujdesit Shëndetësor Rajonal dhe ai Qendror”.

Brenda pak ditësh Spitali Rajonal i Vlorës, do jetë i treti pas Durrësit dhe Shkodrës që do të trajtojë pacientët me Covid sipas ministres Manastirliu. 

Klan News