Brenda dy muajsh pritet të përfundojë zgjerimi i terminalit të pasagjerëve dhe kalatave të trageteve në Portin e Vlorës. Një investim prej 15 milionë Eurosh, që sipas Kryeministrit do të shndërrojë Vlorën në portën kryesore të turizmit.

“E gjithë sfida tani është të bëjmë planin rregullues të të gjithë zonës që të kthehet në një pjesë të qytetit e gjitha kjo. S’mund të jetë porti i izoluar nga qyteti. Pastaj të vazhdojmë me fazën tjetër të Lungomares, në krahun tjetër. Por këtu duhet të kemi një plan shumë shpejt që të na lidhet Lungomare me Bulevardin”.

Rama e vlerësoi Vlorën një model zhvillimi, ku tha se qeveria do të vijojnë investimet dhe siguroi se plazhi i Lungomares do të jetë një atraksion i vërtetë turistik, nëse garantohet përfundimisht zgjidhja e problemit shumëvjeçar të kanalizimeve.

“Ajo është pak, por e sigurtë është që gjithë plazhi i Lungomares do të jetë plazhi më spektakolar dhe më i populluar”.

Me impakt të drejtpërdrejtë në turizëm, qeveria sheh edhe një tjetër projekt në sistemin e ujrave të zeza.

“Vitin tjetër do të fillojmë edhe projektin e madh për sistemin e gjithë ujërave të zeza. Kështu që pjesa e Lungomares pas përfundimit të atij projekti, do të marrë një zgjidhje përfundimtare. S’do të ketë më derdhje të ujërave të zeza në Lungomare, kështu që një plagë e hapur e vjetër, ku ankoheshin të gjithë qytetarët dhe turistët, do zgjidhet”

, tha ministri Damian Gjiknuri.

Një ndalesë kreu i qeverisë e pati edhe në shtëpinë e Niko Ahmetit në Vlorë, ku u rikthye në banesën e tij tashmë të rindërtuar dhe me energji elektrike.

Ndjekja e kurseve profesionale për djemtë e familjes ishin të tjera premtime të Kryeministrit për këtë familje.

Tv Klan