Një tjetër pasuri e Habilajve është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda në Vlorë. Agjentet e antikrimit i vendosën shiritat e bllokimit këtij karburanti që ndodhet në afërsi të spitalit të Vlorës. Biznesi është në pronësi të Artan Habilajt, vëllai i Moisi dhe Florian Habilajt të cilët dyshohet se janë drejtues të grupit që trafikonte kanabis drejt Italisë.

Kjo pasuri sipas prokurorëve është produkt i aktivitetit kriminal dhe nuk justifikohej nga Habilajt. 10 ditë më parë po me urdhër të Krimeve të Rënda u sekuestruan disa pasuri të familjes Habilaj vlera e të cilave shkon në miliona Euro.

Janë 9 apartamente vlera e të cilëve varion nga 40 mijë Euro deri në 200 mijë. 6 automjeteve të llojeve të ndryshëm vlerë e të cilave shkon në mijëra euro. Nën sekuestro është vendosur edhe një truall me vlerë 205 mijë Euro. Të njëjtin fat kanë pasur dhe disa ndërtesa të cilat përdoreshin për biznes nga anëtarët e familjes Habilaj.

Aktualisht në Itali është duke u zhvilluar procesi gjyqësor ndaj Mosi Habilaj dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit të cilët u arrestuan një vit më parë atje. Ky grup dyshohet se ka trafikuar drejt Italisë 3,5 ton kanabis me vlerë tregu 20 milionë Euro. Habilajt janë përmendur për lidhje të dyshuara me ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, ndaj të cilit ka nisur po ashtu një hetim.

Tv Klan