41 turistë polakë janë shfaqur mbrëmjen e kësaj të Premteje me simptoma helmimi në urgjencën e spitalit rajonal të Vlorës.

Kështu konfirmon policia përmes një njoftimi zyrtar.

“Rreth orës 20:10, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, me simptoma helmimi nga ushqimi, 41 shtetas polakë (turistë), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit.

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve”, njofton policia.

Mësohet se ata janë kryesisht fëmijë rreth moshës 15 vjeç dhe dyshohet të jenë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar sot teksa udhëtonin me anije për në ishullin e Sazanit.

Drejtoresha e spitalit rajonal në Vlorë Bruna Mersini deklaroi se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ky helmim mund të jetë shkaktuar dhe prej ekspozimit të tepërt në diell. Ndërkohë drejtori i AKU në Vlorë Ani Binaj tha se toksikologu bashkë me stafin mjekësor po merren me analizat për të dalë në një konkluzion sa i takon rastit.


Helmimi i turistëve në Vlorë, drejtoresha e spitalit: Janë rreth 20 fëmijë polakë, situata nën kontroll…

Lidhur me helmimin e turistëve në Vlorë ka folur mbrëmjen e sotme për Klan News, drejtoresha e spitalit rajonal Bruna Mersini.

Ajo thekson se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe se me simptoma më të theksuara janë rreth 20 fëmijë të moshës 15-vjeç që vijnë nga shteti i Polonisë.

“Pakujdesia ndaj konsumimit të ushqimeve është kudo dhe nga çdokush. Janë disa fëmijë të moshës 14, 15 vjeç, vijnë nga Polonia. Kanë udhëtuar gjithë ditën, nga Shkodra e më pas kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastrointestinale, por situata është nën kontroll.  Gjendja e tyre është nën kontroll. Ne thjesht japim alertin prej numrit. Kur na vjen një pacient kështu, ne kryejmë hetimin epidemiologjik. Po kryhen analizat, por këta janë fëmijë. Edhe vapa, qëndrimi në diell në Karaburun mund të jetë një arsye e dytë, pa dalë analizat ne nuk japim dot një konkluzion. Janë diku te rreth 20 fëmijë të helmuar pavarësisht se autobusi kishte 50 pasagjerë”, deklaroi Mersini.

Mësohet se turistët kanë qenë duke vizituar me anije gjatë ditës Karaburunin dhe Sazanin, ndërsa kanë filluar të ndihen keq në orët e pasdites e më pas i janë drejtuar urgjencës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e mundshme të këtyre simptomave. Dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi që kanë konsumuar në anije ose në një nga restorantet e Karaburunit gjatë turit të sotëm.


20 fëmijë polakë në spital nga helmimi, flet drejtori i AKU në Vlorë: Toksikologu po merr analizat

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Vlorë Ani Binaj foli pas situatës me helmimin e fëmijëve polakë nga ushqimi, këtë të Premte.

Ai shprehet për mediat se toksikologu po merr analizat dhe kur të ketë rezultate konkrete do të dalin me një deklaratë.

“Toksikologu dhe pjesa e stafit janë duke u marrë me analizat, çdo gjë kur të marrë atë formën e vet. Nuk jemi ne që pyesim, për momentin jemi në valë të punëve. Unë erdha urgjent për këtë…Jemi duke u koordinuar me autoritetet këtu për të parë situatën. Kur të kemi diçka konkrete do të flasim“, tha ai.

Njoftimi zyrtar i AKU:

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit, ku ishin të përfshirë disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës. Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë, me të cilët kemi punuar ngushtësisht.

Momentalisht, do donim të siguronim publikun e gjerë që situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.

I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.

I bëjmë thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë ushqime që kanë qëndruar për më shumë se 2 ore pas gatimit jashtë frigoriferit.

DRAKU Vlorë po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen. Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët.

Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.

Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

DRAKU Vlorë do vijojë të informojë publikun mbi progresin e këtij hetimi. Ftojmë këdo që ka informacion mbi subjekte që tregtojnë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore të denoncojë në [email protected] dhe në numrin e gjelbër 08007575 për të qenë së bashku në përpjekjen për sigurimin e mirëqenies së konsumatorëve./tvklan.al