Mickoski: Pas zgjedhjeve të 12 Prillit nis ringritja e vendit

Një ditë pas formimit të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski përmes një konference për media ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë së udhëhequr nga ish-Kryeministri Zaev. Ai paralajmëroi se pas 12 Prillit vjen, siç tha, ripërtëritja e Maqedonisë.

“Zoran Zaevi tashmë nuk është Kryeministër, por shtetin e drejtojnë mbetjet e sistemit të tij të kriminalizuar. Duhet të mposhtet ky sistem përplot me afera dhe skandale. Maqedonia nuk ka zgjedhje tjetër. Duhet të ndërtojë një shoqëri të zhvilluar me profesionistë dhe ekspertë. Pas 12 Prillit vjen ripërtrirja e Maqedonisë”.

Lideri i opozitës ka komentuar edhe mospjesëmarrjen e ministrave të partisë së tij në takimin tek Presidenti Pendarovski, që në qarqet e këtushme është konsideruar si bojkotim i Presidencës.

“Nuk ka një praktikë të zakonshme që ministrat pas zgjedhjes së tyre në parlament të takohen me Presidentin. Me siguri s’e kanë vendosur që të punojnë rreth ekipimit të kabinetit”.

Nga ana tjetër, social-demokratët kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në, siç thane, për patriotizëm të rrejshëm. Siç thonë nga LSDM-ja, VMRO-së nuk u pengon emri Republika e Maqedonisë së Veriut kur duhet të bëhen pjesë e ekzekutivit, por u pengon kur duhet të miratohen ligje për integrimin e vendit.

“Kandidatët për ministra në qeverinë kalimtare nga radhët e VMRO-DPMNE-së nuk e kishin problem të japin deklarata solemne si ministra të Maqedonisë së Veriut duke respektuar Kushtetutën e re. E kanë pranuar edhe Kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin për të cilin thonin se nuk e njohin”.

Social-demokratët e kanë kontestuar edhe zv/ministrin plotësues për Bujqësi, për të cilin thonë se kundër tij janë ngritur procedura penale, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën e ish-Kryeministrit Nikola Gruevski.  

Klan Macedonia