Policia e Shtetit ka kontroll të plotë mbi territorin e vendit

Kreu i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, tha mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e “Opinion” se Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, kanë kontroll të plotë mbi territorin e vendit dhe kanë luftuar me këmbëngulje kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai theksoi se sot në territorin e Shqipërisë ka një sasi shumë më të vogël të bimëve narkotike të kultivuara.

“Situata e kultivimit të bimëve narkotike për këtë vit nuk është në këto nivele siç paraqitet kohët e fundit në media. Unë nuk i kontestoj këto pamje, por në shumë raste, media të ndryshme, përfshirë edhe median tuaj i japin pa siglën arkiv pamjet e viteve të mëparshme, të kultivimit të bimëve narkotike. Nuk jam duke thënë për pamjet e sotme, por në parim në të gjithë median shqiptare ka pamje që pa u shprehur se janë pamje arkiv paraqesin pamje që nuk janë reale, të këtij viti. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, kanë kontroll të plotë mbi territorin e vendit dhe kanë luftuar me këmbëngulje kundër këtij fenomeni. Kjo është demonstruar me të gjitha njoftimet për shtyp që Policia e Shtetit ka paraqitur”.  

Vocaj u shpreh se askush sot nuk mund të thotë që Policia ka bërë kompromis lidhur me këtë çështje.

“Nëse dikush ka informacione që Policia e Shtetit ka bërë kompromise apo tolerime, lidhur me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, të ballafaqohemi me faktet, me të vërtetën dhe të mos flasim fjalë që nuk qëndrojnë”.

Megjithatë, kreu i Policisë Kriminale tha se ka një tendencë për kultivim të bimëve narkotike, më e shtuar në zonën e Krujës. Në të njëjtën zonë Vocaj tha gjithashtu se ekziston edhe fenomeni i rimbledhjes.

“Ka një tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Zonat që kanë pasur një tendencë të shtuar, për kultivimin e bimëve narkotike është kryesisht territori i Bashkisë Krujë”.

Për kreun e Policisë Kriminale, rritja e çmimit të kanabisit në vetvete tregon uljen e prodhimit.

“Unë kam dëgjuar shumë aludime, nëpër emisione të ndryshme, që është rritur çmimi. Çfarë tregon që është rritur çmimi? Që ka prodhim më të paktë. Ne duhet të pranojmë botërisht që ka një prodhim ekstremisht më të paktë të bimëve narkotike. Nivelet e kultivimit janë minore, në këtë kuadër kemi rritje të çmimit. Teoritë që është bllokuar trafikimi nga Maroku e Spanja, këto janë teori të pa vërtetuara dhe nuk mund të qëndrojnë. Fakti është që sot në territorin e Shqipërisë ka një sasi shumë më të vogël të bimëve narkotike të kultivuara”./tvklan.al