“Lekët i tërhoqa nga bankomati se jam në vështirësi ekonomike”

Arrest me burg ka vendosur Gjykata e Tiranës për infermieren e spitalit infektiv Ronida Hysi që u denoncua në emisionin “Stop” në tv klan se i vodhi portofolin e një pacienti të prekur me Covid që ka  ndërruar jetë.

Në seancën me dyer të mbyllura, 30-vjeçarja Hysi përmes avokatit të saj ka shfaqur pendesë. Ajo ka treguar se portofolin nuk e ka vjedhur, por e ka gjetur duke marrë shumën prej 20 mijë Lekësh të reja si dhe kartën e bankës së të ndjerit.

Në lidhje me tërheqjen e shumave monetare përmes bankomatit, Hysi ka treguar se këtë veprim e kishte kryer pasi ishte në gjendje të vështirë ekonomike.

Sipas dosjes hetimore ajo ka tentuar të tërheqë para edhe në një bankomat në autostradën Tiranë-Durrës, por karta nuk ka pasur më para.

Infermierja nga Durrësi u arrestua dy ditë më parë pas urdhrit të prokurorisë, e cila ka verifikuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së bankomatit në momentin që u tërhoqën 600 mijë Lekë.

Tv Klan