11 talentet e Ajax që thyen bardhezinjtë në Torino treguan edhe njëherë se paraja nuk është gjithçka në botën e futbollit. Duhet pasioni, dëshira dhe mbi të gjitha respekti për veten. Titullarët holandezë që zbritën në fushë nga minuta e parë për t’u përballur me Juventusin kushtonin 50 milionë Euro.

Kjo është shifra që Ajax ka shpenzuar për t’i afruar në skuadër. Pra, për të blerë një lojar si Cristiano Ronaldo, që është lojtari më i shtrenjtë i Juventusit, do duheshin dy ekipe të tillë të Ajax. Holandezët provuan se futbollin nuk e bëjnë shifrat e çmendura që shpenzohen për të afruar lojtarë. Në fushën e blertë në fakt duhet kurajo dhe mbi të gjithë respekt për veten e jo frikë nga kundërshtari. Në fakt kapiteni Metthis De Ligt është vetëm 19 vjeç, por në fushën e lojës ai tregoi se e meriton shiritin pasi ishte një lider i padiskutueshëm për skuadrën. Ai u bë lojtari më i ri që nga viti 1996 që shënon gol për Ajax në çerekfinalen e Champions Leauge.

Tashmë yjet në ngritje të holandezëve janë shndërruar në lojtarët më të kërkuar të momentit në Europë. Që tani Barcelona ka rrëmbyer mesfushorin Frenkie De Jong për shumën e 75 milionë Eurove, ndërsa pranë largimit duket edhe kapiteni De Light që kërkohet me ngulm nga Bayern Munich.

Tv Klan