Kampionët vendosen në tavolinë

Federata Shqiptare e Volejbollit i vendosi verdiktet e kampionatit në tavolinë pasi Ministria e Shëndetësisë nuk lejoi rinisjen e sporteve në ambiente të mbyllura për shkak të pranisë së Covid-19.

Në një postim të saj në rrjetet sociale, federata shkruan se në vijim të situatës së pandryshuar për shkak të COVID-19 e duke qenë se është akoma në fuqi urdhri për kufizimin e aktiviteteve sportive në sallat e mbyllura, si dhe në respekt të skadencës së vendosur nga Asambleja e 31-të e FSHV-së për datën 23 Qershor 2020, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta konsiderojë zyrtarisht të përfunduar sezonin sportiv 2019-2020.

Duke u bazuar në klasifikimet, fitues i kampionatit të meshkujve është ekipi i Erzenit. Për kategorinë e parë të femrave është Mirdita, ndërsa në kategorinë e dytë ekipi Agroturizëm Huqi.

Janë njoftuar edhe kampionët për ekipet e të rinjve. Duke iu referuar klasifikimeve në momentin e ndërprerjes për kategoritë përkatëse, femra e meshkuj, Komiteti Ekzekutiv vendosi gjithashtu që ekipet fituese, së bashku me ekipet e tjera, si edhe me fituesit e Kupës së Shqipërisë do të kenë të drejtën të marrin pjesë në Kupat e Evropës, sipas rregullave dhe kuotave të përcaktuara nga CEV-i.

Tv Klan