Volvo do të tërheqë 2.2 milionë makina në të gjithë botën



Volvo do të tërheqë 2.2 milionë makina në të gjithë botën

09:20 02/07/2020

Kompania suedeze e automjeteve Volvo ka njoftuar se do të tërheqë në të gjithë botën 2.2 milionë makina. Arsyeja është zbulimi i një defekti në rripin e sigurisë.

Sipas kompanisë, ky është një defekt jashtëzakonisht i rrallë. Kjo është tërheqja më e madhe nga tregu e automjeteve që ka bërë ndonjëherë marka suedeze.

Bëhet fjalë për një gabim në sistemin e rripit të sigurisë, që në raste të rralla nuk funksionon siç duhet. Deri më tani nuk ka patur asnjë incident që mund të jetë shkaktuar për shkak të këtij defekti, por zëdhënësi i kompanisë theksoi se tërheqja nga tregu e këtyre automjeteve është një masë paraprake për të shmangur gjëra të padëshiruara.

Ky defekt ka ndodhur në 8 modele të Volvo të prodhuara ndërmjet viteve 2006 – 2018. Bëhet fjalë për modelet S60, S60 Cross Country, V60, V60 Cross Country, XC60, V70, XC70 dhe S80.

Pronarët që posedojnë këto automjete do të njoftohen nga Volvo. Kompania suedeze thotë se defekti në këto makina do të riparohet deri në fund të vitit pa asnjë kosto për pronarët. /tvklan.al




Të ngjashme